2017-03-15 19:27:00

Publikohet programi i vizitës së Papës në Carpi më 2 prill


Të dielën, më 2 prill, Papa Françesku do të shkojë për vizitë baritore në Carpi, në Emilia Romagna. Ati i Shenjtë do të niset në orën 8.15 nga heliporti i Vatikanit dhe do të mbërrijë në fushën e rugby-t “Dorando Pietri” në Carpi rreth orës 9.45. Kështu shkruhet në programin e udhëtimit, publikuar sot nga Salla e Shtypit e Selisë së Shenjtë.

Në orën 10.30, mesha në Sheshin e Martirëve dhe falenderimi i ipeshkvit të Carpi-t, imzot Francesco Cavina. Më pas, Engjëlli i Tënzot dhe bekimi i gurëve të parë të tre ndërtesave të reja të dioqezës: famullia e Shën Agatës në Carpi, Shtëpia e ushtrimeve shpirtërore e Shëna Ndout në Novi dhe “Qyteza e Bamirësisë” në Carpi.

Rreth orës 13.00, Papa do të drekojë në Seminarin ipeshkvnor, së bashku me ipeshkvijtë e rajonit, me meshtarët e moshuar të Shtëpisë së Klerit dhe me seminaristët. Në orën 15.00, Françesku do të takohet me meshtarët dioqezanë, me rregulltarët dhe me seminaristët, pikërisht në kapelën e seminarit. Pastaj do të shkojë në katedrale, para se të zhvendoset me makinë për në Mirandola, ku për shkak të tërmetit, nuk mund të hyjë në Duomo, por do të qëndrojë në sheshin para kishës. Këtu do t’i flasë popullsisë së dëmtuar nga tërmeti i vitit 2012. Ati i Shenjtë do të nderojë kujtimin e viktimave, duke çuar një kurorë me lule në monumentin përkujtimor pranë famullisë së Shën Jakut Roncole. Në orën 17.30, largimi nga dioqeza e Carpit për t’u kthyer në Vatikan.








All the contents on this site are copyrighted ©.