2017-03-15 14:46:00

Kard. Zenari: gjashtë vjet tmerre në Siri, të ndalet mizoria


Ishte 15 marsi i vitit 2011, kur në Siri fillonin manifestimet kundër regjimit të presidentit Asad. Nga ato protesta nisi një luftë me dhunë të paparë, që po vijon të shkaktojë qindra mijëra viktima dhe miliona refugjatë e të shpërngulur. Në këtë përvjetor të trishtë, OKB-ja e ka quajtur konfliktin sirian si fatkeqësinë më të madhe, shkaktuar nga njeriu, pas Luftës II Botërore.

Ndërkaq, në Kazakistan, vazhdon raundi i tretë i bisedimeve të organizuara nga Rusia, ku janë ftuar anëtarë të opozitës dhe të qeverisë së Damaskut. Për gjendjen e dëshpëruar të civilëve, intervistuam nuncin apostolik në Damask, kardinalin Mario Zenari:

Këtë vuajtje, gjithçka ndodhi gjatë këtyre gjashtë vjetëve, do ta krahasoja me një valë tsunami dhune, mizorie e mundimi, që u përplas sidomos mbi popullsinë civile. Unë, që e kam jetuar tsunamin e Sri Lankës, do t’ia përshtasja atë përfytyrim Sirisë. Po shoh dhunë e vuajtje të papërshkrueshme, sidomos ndër shtresat më të brishta, si fëmijët, gratë…Nuk shemben vetëm pallate; më bën më tepër përshtypje shkatërrimi i brendshëm, ai i shpirtit. E sidomos psikika e fëmijëve, e të gjithëve. Pastaj, shoh edhe shpërbërjen e familjes. Burrat, ose kanë vdekur, ose janë në luftë e, pesha e familjes bie mbi gratë dhe fëmijët, të cilët nuk e përjetojnë më gëzimin e familjes, mbrojtjen e saj.

Para kësaj gjendjeje plot dhimbje pa fund, si mund të mos e humbasësh shpresën tek dialogu, tek paqja?

Duhet ushqyer e forcuar shpresa. Kanë filluar takimet e Gjenevës në Astana, por njerëzit lëkunden ndërmjet shpresës e skepticizmit, pasi deri tani, ato nuk kanë sjellë ndonjë rezultat. Megjithatë, duhet ta mbajmë gjallë shpresën. Së paku, të lutemi e të urojmë që në vitin 2017 të ndryshojë diçka. Kjo nuk do të thotë se pas dy javësh do të zgjidhet çdo gjë, por, të paktën, ta ndalim këtë vrap të llahtarshëm drejt tmerrit e të përpiqemi të dalim nga humnera, ku është zhytur Siria. Me ndihmën e bashkësisë ndërkombëtare, urojmë që ta shohim këtë kthesë drejt pajtimit, paqes, rindërtimit.








All the contents on this site are copyrighted ©.