2017-03-13 17:27:00

Papa Françesku: “Ju lutem, vazhdoni të luteni për mua”


“Ju lutem, vazhdoni të luteni për mua”. Papa Françesku ia beson Instagramit ftesën për t’u kërkuar akoma lutje besimtarëve, në këtë përvjetor të katërt të papnisë së tij. Në fotografinë e postuar në faqen e tij “Franciscus” shihet vetë Ati i Shenjtë në Llozhën qendrore të Bazilikës së Shën Pjetrit, i përkulur, ndërsa besimtarët luten për të. Ndërkaq, në Twitter shkruan: “Shpirti Shenjt na priftë për të përshkuar një udhë të vërtetë kthimi kah Zoti, për të rizbuluar dhuratën e Fjalës së Hyjit”. Por le t’i kthehemi atij 13 marsi të vitit 2013, shpalljes së zgjedhjes së tij, përshëndetjes së parë dhe Lutjes së parë të Engjëllit të Tënzot, pas pak ditësh, ku përvijohet qartë karakteri i papnisë së Bergoglios.

“Annuntio vobis gaudium magnum: habemus Papam! Eminentissimum ac reverendissimum dominum, dominum Georgium Marium, Sanctae Romanae Ecclesiae Cardinalem Bergoglio, qui sibi nomen imposuit Franciscum”.

Me këto fjalë në latinisht, kardinali protodiakon, Jean-Louis Tauran, shpalli zgjedhjen e Papës Françesku. Duke dalë në Llozhën qendrore të Bazilikës Vatikanase, për të përshëndetur besimtarët, Ati i Shenjtë iu drejtua turmës së pranishme në Sheshin e Shën Pjetrit: “Vëllezër e motra, mirëmbrëma!”

E në çastin e bekimit: “Ju kërkoj një favor: para se ipeshkvi ta bekojë popullin, kërkoj që ju ta lusni Zotin të më bekojë: lutja e popullit, që kërkon bekimin për ipeshkvin e vet. Lë ta bëjmë në heshtje këtë lutjen tuaj për mua”.

Në Lutjen e parë të Engjëllit të Tënzot, më 17 mars 2013, Papa, duke komentuar Ungjillin e kurorëthyerëses së penduar e të falur, përvijon udhën e papnisë së tij. Mëshira Hyjnore është në qendër të mesazhit të krishterë: “Kjo fjalë ndryshon gjithçka. Është gjëja më e mirë, që mund të dëgjojmë: e ndryshon botën. Pak mëshirë e bën botën më pak të ftohtë e më të drejtë. Kemi nevojë ta kuptojmë mirë këtë mëshirën e Zotit, këtë Atë të mëshirshëm, që ka shumë durim”.

Fytyra e Zotit, shpjegon Papa, është ajo e atit plot mëshirë e durim: “A keni menduar ndonjëherë për durimin e Zotit, durimin që ka Ai me secilin prej nesh? Ajo është mëshira e Tij. Gjithnjë ka durim me ne, na kupton, na pret, nuk lodhet së na faluri nëse dimë të kthehemi tek Ai me zemër të penduar. ‘E madhe është mëshira e Zotit’ thotë Psalmi”. 








All the contents on this site are copyrighted ©.