Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

App:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Papa Françesku \ Takime e ngjarje

Kardinali Parolin: 4 vjet me Françeskun, Papën e “reformës së zemrës”

Papa përshëndet popullin menjëherë pas zgjedhjes - AFP

13/03/2017 11:36

Kremtohet sot, 13 mars 2017, katërvjetori i zgjedhjes së Papës Françesku. Katër vjet të jetuara me intensitet  të madh nga Bariu i ardhur “gati prej fundit të botës”, që po vë në jetë veprën e përtëritjes së thellë të Kishës. Edhe ky vit i katërt ishte përplot me çaste e dokumente magjisteriale. Vit i Amoris Laetitia dhe i përqafimit historik me Partikun Kirill në Kubë, vit i DBR-së së Krakovit e i vizitës në Auschwitz, i Shenjtërimit të Nënë Terezës dhe i shtegtimit ekumenik në Lund, për 500-vjetorin e reformës së Luterit. E të gjitha këto veprimtari u lidhën së bashku me fillin e kuq të mëshirës – arkitrau i Papnisë - që arriti kulmin me Jubileun e Jashtëzakonshëm të Mëshirës. Për   të reflektuar mbi temat e forta të këtyre katër vjetëve të papnisë dhe mbi horizontet, që Papa Françesku po i hap jetës së Kishës, kardinali Pietro Parolin i dha këtë intervistë eskluzive Radio Vatikanit-Sekretarisë për Komunikimin. Në mikrofonin e Alessandro Gisotti-it, Sekretari i Shtetit të Vatikanit e nis reflektimin, duke kujtuar 13 marsin e vitit 2013, kur kardinali argjentinas Jorge Mario Bergoglio u zgjodh Papë, i pari në historinë e Kishës me emrin Françesk:

Përgjigje: - Atë ditë, 13 mars, nuk isha në Romë, isha akoma në Karakas (si nunc në Venezuelë). Kështu lajmin e mora në mesditë, ndërsa këtu, në Romë, ishte tashmë natë. Natyrisht gjëja e parë që ndjeva, ishte një çudi e madhe për këtë emër, për zgjedhjen e kardinalit Bergoglio, për të cilin kisha dëgjuar të flitej, por që, në këtë çast, nuk pritej të zgjidhej Papë, të paktën shtypi nuk e paraqiste ndërmjet atyre, që mund të zgjidheshin. E papritur, prandaj, edhe për emrin, emrin “Françesk”, që nuk ishte në serinë e papëve e që i përcaktoi menjëherë sadopak ato, që do të ishin karakteristikat e Papës së ri. Pastaj, në fjalimin e tij, bërë me shumë qetësi, më preku sidomos mirëbesimi reciprok: fakti që ai ia besoi veten popullit e kërkoi nga populli lutje, që Zoti ta bekonte “popullin shenjt të Tij”, siç i pëlqen të thotë. Bariu po ia besonte veten popullit: popullin bariut e bariun popullit. Prej këndej doli figura e Kishës, parë si udhë për të ecur së bashku, bari e popull, me besim, duke ia besuar të gjithë vetveten lutjes dhe hirit e mëshirës hyjnore.

Pyetje: - Ati i Shenjtë, që nga ndërhyrjet e para publike, vuri theksin mbi nevojën për të qenë Kishë në dalje. Kishë për udhë. Po afirmohet në nivele të ndryshme të Kishës ky stil sinodal, ky vizion, të cilin Papa e ka shumë për zemër…

Përgjigje: - Natyrisht është udhë e gjatë, që mund të themi filloi me Koncilin II të Vatikanit, të cilin Papa dëshiron të vijojë ta zbatojë në jetën e Kishës. Më duket e rëndësishme kjo Kishë e vënë për udhë, kjo Kishë që hapet, që hapet kryesisht për Zotin. Kishë në dalje drejt Zotit të vet, drejt Jezu Krishtit. E pikërisht nga që Kisha është në dalje drejt Jezusit, mundet edhe t’i shoqërojë njerëzit, t’i takojë njerëzit në realitetet e tyre të përditshme. Kjo më duket shumë e rëndësishme e më duket edhe se duhet bërë së bashku. Ja, ky është sinodaliteti. Duhet ecur bashkë, por të prirë nga Shpirti Shenjt. Pra, një Kishë e bashkuar nga Shpirti Shenjt, ku secili vë në bashkësi dhuratat, që ia jep Shpirti Shenjt për realizimin e këtij misioni.

Pyetje: - Jubileu i mëshirës përfundoi, por mëshira vijon të mbetet arkitrau i kësaj Papnie…

Përgjigje: - Dëshiroj të them se ngulmimi mbi mëshirën nuk është aq shije personale e Papës, sa përqendrim i vëmendjes mbi Misterin themelor, mbi dashurinë e Zotit. Historia e shëlbimit nuk është tjetër, veç histori e dëftimit të dashurisë, mëshirës e dhembshurisë së Zotit për njerëzimin. E Papa na kujton pikërisht këtë qendër, këtë burim. Besoj se Kisha duhet të bëhet kanal i takimit ndërmjet mëshirës së Zotit dhe njeriut të sotëm në realitetin e tij konkret, në gëzimet e dhembjet e tij, në forcë, ligështi e dyshime…Viti Shenjt i Mëshirës ishte pikërisht dhuratë e Papës për Kishën, që të jetë mjet i mëshirës. Me të drejtë, siç ka thënë edhe ai vetë, u mbyll Porta Shenjte, por porta e mëshirës mbetet gjithnjë e hapur! Përsa u përket fryteve, dëshiroj të nënvizoj dy gjëra. E para është rizbulimi nga ana e shumë të krishterëve, shumë të pagëzuarve, i Rrëfimit si Sakrament i mëshirës së Zotit, ku Zoti na bën të provojmë mëshirën e Atit, faljen e mëkateve dhe të gjithë dashurinë, që ka për ne. Kam dëgjuar nga të katër anët se kjo ndjehet si rizgjim i këtij Sakramenti, të cilit vijojnë t’i afrohen një mori njerëzish. Shpresojmë se ky rizgjim do të vijojë e do të shndërrohet në ndjekje të vazhdueshme të Sakramentit të Rrëfimit. E dyta, është vëmendja ndaj kushteve të varfërisë, të skamjes. Papa na e tregon, me gjeste sidomos, këtë ushtrim të mëshirës që, ndërmjet tjerash, është edhe kërkesë e kësaj Kohe Kreshmësh: kthesa lind pikërisht nga ushtrimi i veprave të dashurisë vëllazërore. Është fjala, pra, për vëmendjen ndaj njerëzve, që  kalojnë kohë të vështira, për të varfërit, të përjashtuarit, ata që kanë nevojë për mbështetje, ndihmë, afërsi. Më duket se nismat janë vërtet të shumta, E besoj se edhe kjo është përmasë, mbi të cilën duhet të vijojë ngulmimi.

Pyetje: - Në vitin e katërt të Papnisë, posaçërisht me botimin  e Nxitjes pas-sinodale Amoris laetitia, në mjediset katolike ka pasur edhe kritika, moskuptime, nëse mund t’i quajmë kështu, lidhur me Shërbesën e Papës Françesku. Ç’mund të na thoni për këtë?

Përgjigje: - Do të thosha, sidomos, se Amoris laetitia duhet parë si  dhuratë e madhe, që na u bë. Papa, më kujtohet si sot, në fillim, para se të  niste Sinodi i parë kushtuar familjes, thoshte: “Ky sinod duhet të bëjë që të shkëlqejë Ungjilli i familjes”. E Ungjilli i familjes do të thotë, nga njëra anë, plani i Zotit mbi familjen, ai plan, që Zoti e pati konceptuar që nga amshimi për familjen e, njëkohësisht, edhe kushtet reale, në të cilat jeton kjo familje; familje e shënuar nga mëkati i zanafillës, si i gjithë realiteti njerëzor. Prej këndej, unë besoj se Amoris laetitia i dha një nxitje të re, siç e dëgjoj edhe nga shumëkush, punës baritore me familjen. Po jep vërtet fryte përtëritjeje e shoqërimi të situatave familjare të brishta. Përsa i përket kritikave…. Bah, kritika në Kishë ka pasur gjithnjë! Nuk është hera e parë që ndodh kjo. Besoj se vetë Papa na dha çelësin, për t’i kuptuar:  domethënë, duhet të jenë kritika të sinqerta, që duan të ndërtojnë, që shërbejnë për të përparuar, e edhe për të gjetur së bashku mënyrën për ta njohur më mirë vullnetin e Zotit si dhe për ta vënë në jetë.

Pyetje: - Papa Françesku po vë në jetë edhe një reformë të thellë të Kuries. Shpesh nënvizon se të gjithë kemi nevojë për reformë, madje shumë të rëndësishme: “për reformën e zemrës”. E në Evangelii gaudim kujton  reformën e Kishës “në dalje misionare”. Pse është kaq i rëndësishëm ky proces reforme për këtë Papë, që e kujton vazhdimisht në shumë fusha….

Përgjigje: - Në histori, Koncili e rikujton Kishën semper reformanda (gjithnjë në reformim). Është përmasë themelore e Kishës të jetë në proces reforme, “pendese”, për të përdorur termin ungjillor. Dhe është e drejtë të jetë kështu. E nevojshme të jetë kështu! Papa na kujton me këmbëngulje  se Kisha duhet të bëhet gjithnjë më shumë vetvetja, të bëhet gjithnjë më e vërtetë, ta pastrojë zgjyrën, që krijohet në rrjedhë historie e të shndrisë vërtet me transparencën e Ungjillit. Mendoj se ky është kryesisht kuptimi i reformës, e pikërisht prandaj Papa ngul këmbë mbi “reformën e zemrës”! Çdo reformë, edhe strukturore, është e nevojshme. E në nivelin e Kuries Romake, janë marrë shumë vendime. Papa i kujtoi në fjalimin e fundit drejtuar Kuries, e kujtoi edhe se po sjellin shndërrime të shumta, përtëritje – por gjithçka nis nga zemra, gjithçka nis nga brenda. - E prandaj, me të drejtë, Papa ngul këmbë mbi këtë. Mendoj se është e rëndësishme, siç e thotë edhe Ati i Shenjtë, të këmbëngulet mbi “reformën e zemrës”: nuk janë kriteret funksionale, që duhet ta udhëheqin këtë reformë, por, pikërisht, më thellësisht, kriteret e kthimit të vërtetë kah Zoti dhe manifestimi i vërtetë i natyrës së mirëfilltë të Kishës.

Pyetje: - Së fundi, Hirësi, ju jeni bashkëpunëtori më i ngushtë i Atit të Shenjtë. Ç’ përfitim keni personalisht, si i krishterë, para se si Sekretar i Shteti, nga qëndrimi pranë Papës në këto vite?

Përgjigje: - Vërtet falënderoj Zotin. Çka më prek tek Papa Françesku, është feja e thellë, me të cilën i lexon gjërat, situatat, e nga kjo  lind edhe qetësia e plotë shpirtërore. Ai e ka thënë shumë herë, por unë e provoj pikërisht në kontakt me të këtë kthjelltësi, edhe përballë situatave më të vështira, më të ndërlikuara - e janë shumë, që shkatojnë edhe shqetësime jo të pakta - këtë bindje se gjithçka është në dorë të Zotit. Prej këndej, pastaj, buron edhe aftësia për të ecur përpara me forcë, me guxim. E do të thosha se kjo më ndihmon shumë edhe për ushtrimin e përgjegjësive të mia, të rolit tim.    

13/03/2017 11:36