Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Papa Françesku \ Audienca dhe Engjëlli i Tënzot

Papa lutet për Guatemalën: “Dhuna kundër të rinjve, britmë e fshehur, që duhet dëgjuar”

Papa në lutjen e Engjëllit të Tënzot

12/03/2017 15:09

Dhuna dhe keqtrajtimet kundër të rinjve “britmë e fshehur, që duhet dëgjuar”. Kjo, thirrja e fuqishme e Papës sot, pas lutjes së Engjëllit të Tënzot, pasi kujtoi adoleshentët, viktima të një zjarri shpërthyer më 8 marsin e kaluar në një nga strehët për fëmijë, në Guatemalë. Para thirrjes, duke komentuar Ungjillin e së Dielës II të Kreshmëve, Françesku nënvizoi mesazhin e shpresës, që buron nga Kryqi i krishterë, i cili nuk është orendi shtëpiake e as stoli për t’u varur në qafë, por simbol i Krishtit, që vdiq e u ngjall për ne.

Papa lutet për Guatemalën: dhuna mbi të rinjtë, britmë e fshehur

“I shpreh afërsinë time popullit të Guatemalës, që mban zi pas zjarrit të rëndë e të trishtuar, që ra në strehën “Virgen de l’Asunción”, duke shkaktuar vdekjen dhe plagosjen e disa vajzave, që banonin nën këtë strehë”

Dhimbja e  pamasë, që ndjeu Vendi qendramerikan pak ditë më parë për dhjetra vetë, viktima të zjarrit, e bën të vuajë shumë edhe Papën, i cili i lutet Zotit t’i pranojë shpirtrat e tyre, t’i shërojë të plagosurit, t’i ngushëllojë familjet dhe gjithë kombin, në zi. Por kjo nuk mjafton:
“Lutem e ju kërkoj të luteni me mua për gjithë vajzat e djemtë, viktima të dhunës, të keqtrajtimeve, të shfrytëzimit e të luftërave. Kjo është plagë, është britmë e heshtur, e  padëgjuar. Duhet të dëgjohet nga të gjithë ne, e të  mos vijojmë të  bëjmë sikur nuk shikojmë e as nuk dëgjojmë”.

Dhimbja e kryqi ishin edhe në qendër të reflektimit të Papës mbi Ungjillin  e së Dielës II të Kreshmëve, që na ndihmon t’i kuptojmë Pashkët, çast flijimi e, njëkohësisht, edhe shëlbimi.

Në shndërrimin e Jezusit ndriçon Vetja e vepra e Tij

Papa e shpjegoi këtë, duke u ndalur tek fytyra dhe petkat e Jezusit që, siç na e tregoi sot Mateu Ungjilltar, në çastin e shndërrimit para tre apostujve, shndrisin “si diell” e bëhen të bardha “si dritë”, shenjë e “lumnisë hyjnore”  që me fe, nisi të kuptohej qysh në predikimet e në gjestet e mrekullueshme:

“Shkëlqimi, që e karakterizon këtë ngjarje të jashtëzakonshme, simbolizon edhe qëllimin e saj: t’i shndrisë mendjet dhe zemrat e dishepujve, që ta kuptojnë qartë se Krishti është Mësuesi i tyre. Është një shkëndijë drite, që shkrep papritmas mbi misterin e Jezusit, duke e ndriçuar krejt Vetjen dhe  veprën e Tij”.

Jezusi, Mesi ndryshe nga sa pritej; jo mbret, por shërbëtor

Jezusi bëhet gati të niset drejt Jeruzalemit - vërejti Papa - e dëshiron t’i përgatisë të tijtë për vdekjen në kryq, “shkandull tepër i fortë, ky, për fenë e tyre”, e njëkohësisht dëshiron të paralajmërojë ngjalljen e Tij, dukjen si Mesi e Bir i Zotit. Por një Mesi krejt ndryshe nga sa pritej prej Tij, gjë që e tregon Kryqi:

“Nuk është mbret i fuqishëm e i lavdishëm, por shërbëtor i përvuajtur e i çarmatosur; nuk është zotëri i ngarkuar me pasuri, shenjë bekimi, është njeri i varfër, që nuk ka ku të mbështesë kokën; s’është patriark, me një mori pasardhësish. Është i vetëm, pa shtëpi e pa fole. Është vërtet zbulesa e përmbysur e Zotit. E shenja më tronditëse e kësaj përmbysjeje shkandulluese, është kryqi. Por pikërisht përmes kryqit, Jezusi do të arrijë tek ngjallja e lumnueshme, që do të jetë edhe përfundimtare, jo si shndërrimi, që zgjat  një çast të vetëm, sa shkrepja e një shkëndije”.

Shkandulli i kryqit, portë e ngjalljes

Por pikërisht përmes kryqit, Jezusi do të arrijë tek ngjallja: prej këndej, Krishti i shndërruar mbi malin Tabor - shpjegoi Papa - deshi t’u rrëfejë dishepujve lumninë e Tij, jo për ta shmangur kalimin e tyre përmes kryqit, por për të treguar se ku të çon kryqi:

“Kush vdes me Krishtin, me Krishtin edhe ringjallet. E kryqi është porta e ngjalljes. Kush lufton me Të, me Të edhe do të ngadhënjejë. Ky, mesazhi i shpresës, që buron nga kryqi, duke na nxitur të jemi të fortë në udhën tonë të jetës. Kryqi i krishterë nuk është orendi shtëpiake, as stoli për t’u varur në qafë. Kryqi na kujton dashurinë me të cilën Jezusi u flijua për ta shpëtuar njerëzimin nga e keqja e nga mëkati”.

Kryqi, shenjë e etapave të Kreshmëve e ftesë për të ndjekur shembullin e Marisë  

Prej këndej, ftesa e dyfishtë e Papës drejtuar besimtarëve në kohën e Kreshmëve: jo vetëm ta kundrojnë Kryqin, simbol i fesë së krishterë, e të shënojnë me të etapat drejt Pashkëve, për ta kuptuar gjithnjë më shumë barrën e mëkatit dhe vlerën flijimit, me të cilën na shpëtoi Shëlbuesi, por edhe të ndjekin shembullin e Marisë, që e kundroi lumninë e Jezusit të fshehur në natyrën e Tij njerëzore:

“Maria na ndihmoftë të rrimë me Të në lutje të heshtur e të shndritemi nga prania e të Birit, për ta ruajtur në zemër, edhe në netët më të errëta, pasqyrimin e lavdisë Tij”.

12/03/2017 15:09