2017-03-12 12:30:00

Engjëlli i Tënzot: shndërrimi i Krishtit


E pasur me veprimtari kjo e Dielë e dytë e Krezhmëve për Papën Françesku. Në mesditë tha Lutjen e Engjëllit të Tënzot, në Sheshin e Shën Pjetrit, me besimtarët e ardhur nga e gjithë bota, ndërsa pasdite do të shkojë për vizitë baritore në famullinë romake të Shën Madalenës së Kanosës.

         Në mesditë, Ati i Shenjtë iu referua liturgjisë së sotme, që si zakonisht gjatë kësaj kohe Krezhmësh, na propozon etapa të rëndësishme të historisë së shëlbimit, me personazhet e saj protagonistë, si Abrahami i Leximit të parë të sotëm, patriarku në të cilin e ka zanafillën Populli i Zotit. Figura e tij karakterizohet nga gatishmëria e plotë për të kryer vullnetin e Hyjit e nga bashkëpunimi me planin hyjnor të shëlbimit. Ai përfaqëson njerëzit, që kanë besim tek Zoti.

         Tregimi ungjillor i shndërrimit të Krishtit, nga njëra anë, na tregon cili është qëllimi i agjërimit, i kësaj praktike krezhmore, që në fund të fundit, na nxit ta ndryshojmë jetën e, nga ana tjetër, e vendos Jezusin në qendër të historisë së shëlbimit. “Ky është Biri im i dashur, të cilin e kam për zemër. Atë dëgjojeni!”, thotë Zoti. Por kjo pjesë ungjillore paralajmëron edhe misterin e lavdisë së vdekjes e të ngjalljes së Krishtit: “Mos i tregoni askujt çka patë, - u thotë dishepujve Jezusi - para se Biri i njeriut të ngjallet prej së vdekuri.” Prania e Moisiut dhe e Elisë, përfaqësues të Besëlidhjes së Vjetër, konfirmon se tani besimtarët duhet të dëgjojnë vetëm Jezusin. Duke u shndërruar, Krishti i përgatit dishepujt të shohin përtej shkandullit të kryqit, duke ua bërë të qartë se vetëm përmes mundimeve mund të arrijnë në triumfin e ngjalljes. Shën Pali Apostull, në Leximin e dytë, i fton të krishterët të vuajnë me të për Ungjillin, për të marrë plotësisht pjesë në shëlbimin e dhuruar nga Krishti.








All the contents on this site are copyrighted ©.