2017-03-11 12:55:00

Katër vjet me Papën Françesku


“Papa Françesku - shkruan në parathënien e vëllimit, shtypur nga Shtëpia Botuese e Vatikanit kryeipeshkvi i Manilës, kardinali Luis Antonio Tagle – krye i Kishës, mësues i lutjes, lypës i dashurisë së Zotit, Papë që jo vetëm lutet e i bën edhe të tjerët të luten, e koncepton lutjen si arma më e mirë në dorë të besimtarit, për të shembur muret e për të zhdukur armët, që mbjellin vdekje e shkatërrim.

“Në Azi – kujton kardinali Tagle – posaçërisht në Lindjen e Mesme, të krishterët janë dëshmitarë të dëmeve tragjike, që bëjnë armët, por njëkohësisht edhe të vetëdijshëm për forcën e lutjes, që i ndihmon t’i mbeten gjithnjë besnikë Zotit, deri në dhurimin e gjakut. Nuk është shprehje retorike, kjo. Është realitet sa tragjik, aq heroik: në shumë vise të botës vijon të rrjedhë rrëke gjaku i të krishterëve për Krishtin, deri tek kryqëzimi, si në kohët e Kalvarit. Vetëm lutja i forcon këta njerëz për ta mundur frikën e natyrshme e për të arritur deri në majat më të larta të revolucionit të krishterë. Tek përgjigjja dhënë urrejtjes - me dashuri!

Autori i vëllimit analizon lutjen sipas Françeskut, që ndërron formë e përmbajtje, duke iu përshtatur rrethanave e gjuhës së mediave moderne, ashtu si dhe videot e ndjeteve mujore të uratës. Pa harruar se njeriu i sotëm ndodhet në mes të një beteje shpirtërore të pashembullt, i bombarduar nga forca e mesazheve negative. Për t’i luftuar, i duhet guximi e forca, të cilën  mund ta japë vetëm lutja.

Kështu rregulltari rogacionist, i cili ankohet se për shërbesën papnore të Françeskut deri më sot është folur e shkruar mbarë e prapë. Vetëm lutja ka mbetur jashtë reflektorëve mediatikë, ose  më mirë të themi, nuk ua ka tërhequr vëmendjen, që zakonisht u kushtohet tematikave shoqërore, veç rasteve kur bëhet fjalë për kremtime të veçanta, ose ngjarje historike, publike a private, si rasti i Kubës. Papa Françesku takohet me Fidel Kastron e, kur është gati për t’i dhënë lamtumirën, vringëllon armën më të mprehtë. Ia merr dorën liderit maximo e i thotë: “Heret a vonë, ma dhuro një Atynë”. “Do ta bëj”- i përgjigjet bashkëbiseduesi.

Në lutjen  e pesë gishtave, Bergoglio cakton nga një uratë të posaçme për çdo kategori, nga qeveritarët, tek guvernatorët e tek të fundmit e kësaj toke.

E lutjen e “Pesë gishtave”, shkruar nga Bergoglio, e gjejmë edhe në librin e ri të atë Vito Magnos:

Gishti i madh është më pranë teje. Lutu, prandaj, së pari, për ata, që i ndjen më pranë. Janë njerëz, të cilët i kujtojmë më lehtë. Të lutemi për të dashurit tanë, është detyrë fort e ëmbël.

Gishti i dytë është treguesi. Lutu për ata që japin mësim, që edukojnë e mjekojnë. Për mësuesit, profesorët, mjekët, meshtarët. Kanë nevojë për ndihmë e urti, që të mund t’u tregojnë të tjerëve rrugën e drejtë. Mos harro t’i kujtosh në lutje!

Gishti, që vjen pas, është më i gjati. Të kujton ata, që qeverisin. Lutu, prandaj, për presidentin, parlamentarët, afaristët e drejtuesit. Janë njerëz që kanë në dorë fatet e atdheut tonë e që i prijnë opinionit publik. Kanë nevojë për udhëheqjen e Zotit.

Gishti i katërt është ai i unazës. Çuditërisht, ky është gishti më i ligshtë, siç mund të na e vërtetojnë mësuesit e pianos. Është aty për të të kujtuar se duhet të lutesh për njerëzit më të ligshtë, ata që kanë përballë sfida të mëdha, që janë të sëmurë. Kanë nevojë për lutjet tuaja, të ditës e të natës. Nuk është kurrë tepër të lutesh për ta. Ky gisht të fton të lutesh edhe për të gjithë ata, që mbajnë në të, unazën e martesës!

Arrijmë, kështu, së fundi, te gishti i vogël, më i vogli nga të gjithë, ashtu si duhet ta ndjejmë ne veten përballë Zotit e të afërmit. Si thotë Bibla: “Të fundmit do të jenë të parët!”. Gishti i vogël të kujton të lutesh për vetveten. Pasi të jesh lutur për gjithë të tjerët, do të mund të kuptosh më mirë edhe cilat janë nevojat tuaja.

Kush lutet – na kujton autori i librit “Lutja sipas Françeskut” - nësa nis  viti i pestë i papnisë së Bergoglios, nuk është kurrë vetëm! E kush lutet me lutjet e Papës, ka pranë mbarë Kishën universale: një ushtri të armatosur me uratë. Një kor madhështor milionash, zëri i të cilit arrin deri te froni i Zotit!  

Të hënën Papa, që lutet e i bën edhe të tjerët të luten, i kujton njeriut, sot  në mes të një beteje të pashembullt, rrugët për të dalë ngadhënjimtar nga ndeshja titanike ndërmjet së mirës me të keqen, që endet nëpër botë si fantazmë, me njëmijë fytyra. E që e bombardon me miliona mesazhe, të cilat e rrezikojnë ta humbasë shpirtin e mund të përballohen vetëm me raketëpritëset e lutjes!








All the contents on this site are copyrighted ©.