2017-03-10 12:36:00

Atë Cantalamessa. Temat e predikimeve kreshmore: Amshimi? S’ka gjë më aktuale.


Atë Raniero Cantalamessa, predikatar i Shtëpisë Papnore, që nisi sot ciklin e predikimeve kreshmore në Kapelën “Nëna e Shëlbuesit”, të Pallatit Apostolik, në Vatikan, shpjegon temat e tyre. Në shoqërinë moderne – kujton - tejet të ndërlidhur, ku mediat diktojnë agjendën e përparësive, ekziston gjithnjë tundimi për ta  vënë në plan të parë urgjenten e, në plan të dytë, të rëndësishmen, e edhe për ta radhitur ‘lajmin e freskët’ para “Amshimit”. Rregulltari tërheq vëmendjen pikërisht për t’u ruajtur nga  ky tundim, shpjegon se tema e sivjetme është  “Askush nuk mund të thotë: ‘Jezusi është Zot!’, veçse nën veprimin e Shpirtit Shenjt” (1 Kor 12.3).  dhe kujton disa nga vijat e reflektimit të predikimeve, që do të vijojnë të premteve në datat 17, 24 e 31 mars si dhe më 7 prill.

Në qendër të predikimeve, pra, është Shpirti Shenjt. Natyrisht nuk do të mungojnë as  ngjarjet aktuale - kujton predikatari - por do të jenë krejt të pakta. Sepse për atë Cantalamessën “aktuale nuk është vetëm ngjarja në zhvillim e sipër. Fjala aktuale nuk është sinonime me “e kohëve të fundit”. Gjërat më aktuale janë ato të amshuarat, që e prekin  njeriun  në thelbin më intim të jetës. E i përkasin çdo epoke e çdo kulture. Ç’gjë mund të jetë  më urgjente, më aktuale dhe më e rëndësishme për besimtarin, madje për çdo burrë e për çdo grua, sesa të dijë nëse jeta ka, apo s’ka fare kuptim; nëse vdekja është fund i jetës, apo fillim i jetës së vërtetë? Këtyre pyetjeve synon t’i japë përgjigje predikatari, duke e lexuar misterin e vdekjes dhe të ngjalljes së Krishtit në dritën e rizbulimit të Shpirtit Shenjt. Sepse është e vetmja përgjigje për pyetjet kryesore të njeriut. Sidomos sot, kur jetojmë në qytetërimin e sunduar absolutisht nga teknika. Hamendësohet madje deri një kompjuter i aftë për të menduar, por askush deri më sot nuk e ka vrarë mendjen për një kompjuter, që është i aftë të dojë! Prej këndej, Shpirti Shenjt, dashuri e pastër e burim i çdo dashurie, është i vetmi që mund ta  ngjallë shpirtin e shkretuar të njerëzimit.

Prandaj atë Cantalamessa, duke kujtuar temat e sivjetme të predikimeve kreshmore, thekson:  “Amshimi? S’ka gjë më aktuale”.








All the contents on this site are copyrighted ©.