2017-03-09 14:08:00

Ushtrimet shpirtërore, atë Michelini: vdekja e Jezusit, e vërtetë, sepse shkandulluese.


Nga Kryqi, Krishti tregon brinjët, prej të cilave gurron ujë e gjak “për faljen e mëkateve”. Ky, një nga fragmentet e meditimit të shtatë të atë Giulio Michelini-t, gjatë Ushtrimeve shpirtërore me Papën e Kurien Romake, pranë Shtëpisë së Mësuesit Hyjnor, në Ariccia.

Një shikim me dashuri të thellë mbi Krishtin e Kryqëzuar. Ky, shikimi i sotëm i atë Michelinit i cili, në refleketimin e shtatë, mbajtur sot paradite, u ndalua kryesisht tek vdekja e Mesisë, sipas Ungjillit të Mateut. Vdekje e vërtetë  - nënvizoi- jo në dukje:

“Jo vetëm dishepujt nuk duan të besojnë se Krishti u kthye përsëri në jetë, e kjo është e vërtetë; po është edhe e mundshme, pikërisht sepse Jezusi vdiq me të vërtetë”.

Hollësirat, që përshkruajnë vdekjen e Jezusit janë aq tronditëse, aq të rënda, sa vijojnë ta trandin edhe sot zemrën njerëzore. E predikatari rikujtoi britmën e thekshme mbi kryq, thirrjen e paharrueshme drejtuar Atit, e psherëtimën e mbrame, pas fjalëve “Kam etje!”,  thirrje që  Zoti vijon t’ua drejtojë të gjithë njerëzve. Hollësira të tilla nuk mund të krijoheshin, nuk mund të ishin fryt i fantazisë. U shkruan, sepse tregojnë pikërisht atë që ndodhi: vdekjen e ngjalljen e Zotit.

E pikërisht fakti që Ati nuk ndërhyn - shpjegoi atë Michelini - është element tjetër delikat i gjithë rrëfimit mbi vdekjen e Jezusit. Jezusi e ndjen veten të braktisur nga Ati e shton diçka reale, aq shkandulluese, sa është tepër e vështirë të jetë e trilluar. Krishti ankohet jo pse e ndjen veten të braktisur nga Zoti, as sepse ka dhimbje, por sepse forcat e tij fizike vijnë duke u pakur. Ndoshta prandaj dy Ungjijtë, i Gjonit dhe i Lukës, nuk e përmendin britmën e Jezusit, sepse tepër shkandulluese - shtoi predikatari:

“Natyrisht ne e dimë se Kryqi shpjegon gjithçka. Po Jezusi nuk mundet as të thotë pse po e thërret Atin, e jo Elinë. Mund të bëjë vetëm një gjë: t’ia besojë veten Shpirtit Shenjt, të cilit edhe do t’i dhurohet, sepse është pikërisht Shpirti, ai që ia shpjegon çka nuk kishte arritur ta kuptonte.  Ose i duhet të presë sa të ngjallet e të rrijë me dishepujt, të ndalet në tryezë me ta për 40 ditë - thuhet në fillim të Veprave të Apostujve - për t’i marrë për dore ata, që nuk arrijnë ta kuptojnë”.

Atë Michelini kujtoi edhe një torturë tjetër, atë të heshtës së centurionit. E propozoi edhe episodin e Kafarnaos: historinë e një centurioni tjetër, ndoshta të armatosur, që i drejtohet Jezusit, sepse i pushtuar nga shqetësimi për një bir a një shërbëtor, që mund t’i vdesë. E Krishti nuk ia refuzon një gjest dashurie:

“Tashti, sipas disa dëshmitarëve të rëndësishëm, përmendur nga Mateu, Jezusi u vra pikërisht me një të goditur heshte, nga një ushtar. Zoti u pati kthyer ushtarëve që e shplakonin, faqen tjetër, siç kishte mësuar në fjalimin e Malit: Tani, mbi kryq, mund të sjellë vetëm ijen, nga e cila do të gurronte ujë e gjak, për të falurit e mëkateve”.

Predikatari kujtoi se, sipas Ungjillit të Mateut, Krishti u godit me heshtë para se të vdiste, e jo pas, siç lexojmë në Ungjillin e Shën Gjonit, ndonëse - shtoi - Kisha pranoi shpjegimin e Ungjillit të katërt, ku shkruhet “goditja me heshtë,  pas vdekjes së Zotit”.

Së fundi meditimi u përqendrua tek gratë e pranishme në skenën e kryqëzimit, sidomos tek Maria, që tek këmbët e Kryqit e me vullnetin e Tij, bëhet Nënë e Apostujve e Nënë e Kishës.

Në përfundim Françeskani na fton të pyesim veten pse shpesh herë nuk i kuptojmë të tjerët: sepse i kemi zemrat e mbyllura, sepse gjërat që thonë, janë tepër të errëta apor nuk kuptojmë, sepse nuk duam të kuptojmë? E këshilloi që, nëse se kemi ndonjë vështirësi në komunikimin me të tjerët, duhet ta përmirësojmë veten, duke u sjellë përvujtërisht e duke u përpjekur ta ndjejmë edhe në të përditshmen praninë e Zotit, parë në syrin e tjetrit. 








All the contents on this site are copyrighted ©.