2017-03-09 10:22:00

Papa së përjavshmes Die Zeit: i shqetësuar për populizmat, janë të këqija


Intervistë, e cila prek një mori problemesh: nga shtegtimet e ardhshme, tek afishet e dukura në Romë për ngjarjen e Urdhërit të Maltës e tek kriza e thirrjeve: Papa Françesku flet kështu me të përjavshmen gjermane “Die Zeit”. Po botojmë përmbledhjen e intervistës papnore.

T’i idealizosh njerëzit, është formë agresioni

“Nuk më duket vetja njeri i jashtëzakonshëm” - pohon Papa, duke iu përgjigjur pyetjes nëse ndjehet i shtypur nën barrën e shpresave, që  mbështesin në të një mori njerëzish.  “Jam mëkatar”, “i kufizuar”, “njeri që bën sa e si mundet”, “i zakonshëm”. E ndjej se nuk më bëjnë nder duke pritur gjëra të mëdha nga unë, “e teprojnë”. Mos harroni – saktëson – se idealizimi i një njeriu është formë e hollë sulmi, “e, kur më idealizojnë, ndjehem i sulmuar”.

E kuptoj fare mirë se ndokujt nuk i pëlqen mënyra si veproj

Gazetari e pyet nëse i bëjnë keq sulmet, që i vijnë nga Vatikani. “Jo - përgjigjet Françesku. - Që nga çasti kur u zgjodha Papë, nuk e kam humbur kurrë paqen. E kuptoj fare mirë se ndokujt mund të mos i pëlqejë mënyra si veproj, por e justifikoj. Jo të gjithë mendojnë njëlloj, është e ligjshme, e edhe njerëzore, madje mund ta quaj pasuri”.

Dialekti romak i afisheve e kuptimi i humorizmit

E, lidhur me shprehjet në dialektin e Romës, që quhet “romanaccio”, i përdorur në afishet, të cilat e akuzonin se nuk është i mëshirshëm, përgjigjet se dialekti romanaccio i përdorur në to, ishte tejet i bukur. Veç kuptohet menjëherë - shton - se nuk janë shkruar nga një njeri i rrugës. Në to ndjehet fort dora e njeriut të mësuar. E Papa qesh edhe për këtë - shton gazetari - e përgjigjet se lutet për ditë me lutjen e Shën Tomës Moro, për të kërkuar hirin e humorizmit. E Zoti ia jep me begati këtë hir, Papës që di të qeshë, edhe kur shumëkush mund të zemërohej.

Urdhëri i Maltës

Kur bëhet fjalë për Urdhërin e Maltës,  shpjegon se kishte probleme, që kardinali Burke “ndoshta nuk qe i aftë t’i zgjidhte, sepse ai nuk ishte protagonisti i vetëm”. Prandaj edhe emëroi një delegat të aftë për t’i sistemuar punët, një njeri me karizmën, të cilën kardinali Burke nuk e ka. Por Hirësia e Tij – vijon – mbetet gjithnjë kreu i Urdhërit.

Kriza e thirrjeve, problem i madh

Përsa i përket krizës së thirrjeve, Papa vëren se është problem i madh  e i rëndë. Ku nuk ka meshtarë, mungon Eukaristia, e një Kishë pa Eukaristi nuk ka forcë; Kisha e bën Eukaristinë, por Eukaristia bën Kishën. Nëse mungojnë thirrjet për udhën e meshtarisë - thekson - domethënë se mungon lutja. Është edhe problemi i lindjeve të pakta. E duhet punuar më shumë me të rinjtë, pa rënë në prozelitizëm, natyrisht: ka shumë rëndësi edhe përzgjedhja, mbasi nëse i riu nuk ka thirrje, do të vuajë populli pastaj.  Gjithsesi - shton - çelibati opcional nuk është rrugëzgjidhje. Ndërsa çështja e  “viri probati” është një mundësi, por pastaj duhen saktësuar detyrat, që mund të kryejnë të kushtuarit në bashkësitë e izoluara.

Kriza është për t’u rritur në fe

Pas pyetjes për çastet e tij të vështira, Françesku pohon se ka pasur çaste të errëta e edhe çaste të zbrazta, që nuk i kuptonte, e edhe “situata të këqija”, për faj të vet, të mëkatit, që e bënë të zemërohet me Zotin. Unë zemërohem e tani jam mësuar, pohon duke qeshur. Po Zoti - shton - i do më shumë mëkatarët. E pastaj, kriza është për t’u rritur në fe. Nuk ka rritje, pa krizë. Kriza është pjesë e jetës, e një fe, që nuk hyn në krizë, për t’u rritur, zakonisht mbetet foshnjore. Edhe Pjetri pati një krizë të keqe, e mohoi Jezusin... e megjithatë, e bënë Papë! Gazetari e pyet: e si rikthehesh në fe?  “Feja – gjegjet – është dhuratë: ta japin. Ia kërkoj, e Ai përgjigjet. Heret a vonë, eh?". Por shpesh ti duhet të presësh, në krizë. E përsa i përket frikës, nënvizon: “Frika t’i mbyll portat. Ndërsa liria t’i hap”.

Njeriu është mirësi e plagosur, por shpirtligësia vret

Njeriu është i mirë, apo i keq për natyrë? “Njeriu është shembëlltyrë e Zotit – pohon Françesku - është i mirë, por u tundua e u plagos: është, pra, mirësi e plagosur, prej këndej, i brishtë. Shpirtligësia është gjë tjetër, gjë e shëmtuar. Për shembull, Adami nuk ishte i keq, ishte ligshtë e u tundua nga djalli. Ndërsa shpirtligësia e parë është ajo e të birit, Kainit. Ai nuk vrau për ligështi, por për zili, për mllef. Vrau, se kishte etje për pushtet… e kjo është ligësia e luftërave. Është ligësi, të cilën e gjejmë në shpirtin e atyre që vrasin: të vrasësh tjetrin … ligësi e atyre, që fabrikojnë armë".

Më dhemb Kisha që nuk është besnike

Flitet për mafiozë, që bëjnë kryq para se të vrasin: “Është sëmundje fetare” - pohon Papa - që më bën të zemërohem. Por zemërohem edhe më keqas, kur Kisha “nuk jep dëshmi besnikërie ndaj Ungjillit: kjo më bën të ndjehem shumë keq”.

I shqetësuar për populizmat në Evropë 

Pyetjeve mbi populizmat e sotme, i përgjigjet se e shqetësojnë, të paktën ata, që vërehen në Evropë. Pas tyre - nënvizon - është gjithnjë “mesianizmi”: gjithnjë. E edhe justifikimi “se gjithçka bëhet për të ruajtur identitetin e një populli”. Ndërsa politikanët e mëdhenj të pas luftës në Kontinentin e vjetër e përfytyruan bashkimin evropian si diçka jo populiste, por si vëllazërim të mbarë Evropës, nga Atlantiku, deri në  Urale. E këta janë liderët e mëdhenj, liderët e mëdhenj - të aftë për ta çuar përpara vendin, pa qenë ata vetë në qendër të vëmendjes. Pa qenë mesia! Populizimi nuk është i mirë e sigurisht përfundon keq, siç na e tregon shekulli i kaluar.

Lufta e tretë botërore me copëza

Papa flet përsëri edhe për Luftën III Botërore me copëza: “mjafton të mendosh për Afrikën, Azinë, dramën e Irakut, për njerëzit e varfër, që u dëbuan nga shtëpitë e veta, nga viset  e veta”. Është luftë, “që bëhet me armë moderne e, pas saj, fshihet një strukturë e tërë fabrikantësh të armëve, që e ndihmojnë gjithë këtë tragjedi”.

Shtegtimet e ardhshme ndërkombëtare  

Së fundi, shtegtimet e ardhshme ndërkombëtare: Papa do të shkojë në Indi, Bangladesh, Kolumbi, Fatima, në studim është edhe Egjipti. Do të dëshironte të shkonte edhe në Sudanin e Jugut, por nuk beson se do të mund ta bëjë këtë. Ishin në program edhe dy Kongot, por me Kabilën vështirë se mund të shtegtojë atje. E as në Rusi nuk mund të shkojë, sepse do t’i duhej të ndalej edhe në Ukrainë.








All the contents on this site are copyrighted ©.