Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Papa Françesku \ Takime e ngjarje

Ushtrimet shpirtërore. Atë Michelini: Juda dhe rreziku i humbjes së fesë

Sot në Ushtrimet shpirtërore të Papës e të Kuries

08/03/2017 15:06

 "Juda dhe ara e gjakut” (Mt 27,1-10): ky, titulli i meditimin të pestë  mbajtur nga atë Giulio Michelini sot, në vijim të Ushtrimeve shpirtërore që filluan në Ariccia të dielën e kaluar. I katërti, mbajtur dje pasdite, iu kushtua temës: “Lutja në Gjetseman dhe arrestimi i Jezusit”. Prej këndej, sot Papa nuk e mbajti, si zakonisht, audiencën e përgjithshme në Vatikan.   

Rreziku për ta humbur fenë, vetëvrasja, misioni i Kishës në kërkim të mëkatarëve: këto temat mbi të cilat u ndalua atë Giulio Michelini në meditimin e pestë të Ushtrimeve shpirtërore, që po ia predikon Papës dhe Kuries Romake,  mbledhur këto ditë në Ariccia. Në qendër të reflektimit të tij, figura e Judës.

U përqendrua tek drama e vetëvrasjes së Judës, njërit nga të Dymbëdhjetët, meditimi i sotëm i Atë Michelinit. Ngjarje shkandulluese, që të vë në pozitë të vështirë, por që, megjithëkëtë, Ungjilli nuk e fsheh. Dramë, që duket sheshit edhe përmes pendimit të Judës i cili, në Ungjillin e Mateut, e pranon se ka mëkatuar, duke tradhtuar gjakun e pafajshëm.

Juda e ne: rreziku i humbjes së fesë

Françeskani u përpoq të gjejë shkaqet, që mund ta kenë shtyrë Judën ta tradhtojë Jezusin, i cili e kishte zgjedhur dhe e kishte thirrur. E ai, Juda e kishte ndjekur pas. Për ta bërë të kuptueshme dramën e tradhtarit, atë Michelini rilexoi tekste të studiuesve e të shkrimtarëve të shumtë, që u morën me këtë figurë enigmatike, për të cilën është shkruar e vijon të shkruhet shumë. Kujtoi posaçërisht Romano Guardinin e Amos Oza-n, ndërmjet atyre, që i kushtuan vëmendje kësaj figure në librat e tyre. Hamendja e parë është se Juda, në një farë pike, e humbi fenë. E duke u nisur nga ky rrezik, të gjithë duhet ta pyesim veten..:

“.. nëse në jetën tonë ka edhe ditë, në të cilat e kemi braktisur Krishtin, dijen tonë më të mirë, dashurinë tonë, për ndonjë kotësi, sensualitet, fitim, siguri, mëri, hakmarrje? Nuk kemi edhe aq të drejtë ta shikojmë me inat e  përbuzje tradhtarin. Juda na zbulon shpirtin tonë”.

E akoma, predikatari preku përvojën e shkrimtarit francez Emmanuel Carrere, në librin “Mbretëria”, botuar më 2014, në të cilin kujton sesi u kthye përsëri në fe për tri vjet e, pastaj, sesi e humbi rishtas. Ndjehet fort, në vepër, vuajtja shpirtërore e një njeriu që, të Premten e Madhe shkruan se do të shkojë në Meshën e Pashkëve, edhe pse nuk beson më në Ngjalljen e Krishtit, por, shton: “Po të braktis, o Zot! Po ti, të lutem, mos më braktis!”.

Lidhur me tradhtinë e Judës, pastaj, është edhe një hamendje tjetër. Juda dëshironte që Krishti t’i fliste Izraelit e t’i tregonte se ishte Ai Mesia, çliruesi, luftëtari në fushën e politikës, ngadhënjyesi! E, prej këndej, në fytyrën e Jezusit nuk shikon më Zotin, por thjesht një Rabbì, një mësues, e  dëshiron ta detyrojë të bëjë çka dëshiron ai vetë, jo Krishti!

Të shkohet rrugë më rrugë për t’i kërkuar paganët e publikanët

Reflektimi i dytë, që nxiti meditimi, nisi me një pyetje: “Ç’mund e ç’duhet bërë për kë është larg fesë? E përgjigjja e françeskanit ishte: “Duhet shkuar në kërkim të mëkatarëve”. E më pas edhe rrëfimi i përvojës së tij:

“Jetoj në një bashkësi të rinjsh, që organizojnë dy misione popullore në vit. Tallem me ta, sepse shkojnë e hedhin valle rrugash, hyjnë në diskoteka e në klube. Unë, kuptohet, si profesor, nuk ia lejoj kurrë vetes një gjë të tillë e, prej këndej, bëj shaka me fretërit e mi. E ka shumë vjet që jap mësim, por nuk organizoj misione popullore. Ndërsa të rinjtë e dinë sa nderim kam për ata, që shkojnë atje, ku është njeriu, që nuk duam ta shikojmë, ku mund të gjinden, e gjinden, të rinj të dëshpëruar. Prandaj, edhe nëse nuk e kryejmë këtë detyrë, duhet të jemi mirënjohës e solidarë ndaj atyre, që shkojnë udhëve  për t’i kërkuar, siç thoshte Jezusi, paganët e publikanët”.

Rruga që përshkoi Juda, e çoi në vetëvrasje, pasi e kuptoi ç’mëkat të rëndë kishte bërë - vërejti frati. - Në romanin e famshëm “Të Fejuarit”, shkruar nga Alessandro Manzoni, është vërtet simbolik pendimi i të Paemrit, që  tundohet e është gati duke vrarë veten, kur dëgjon tingëllimin e këmbanave. E atë çast i kujtohen fjalët e Luçisë që, duke folur për Zotin, e pati siguruar se është aq i mëshirshëm, sa fal çdo mëkat. E pastaj edhe takimi me kardinalin Borromeo, të cilit i vjen shumë keq, sepse nuk shkoi ai i pari ta takonte të tunduarin. Faqe plot me aromë feje, që na ftojnë të shkojmë në kërkim të mëkatarëve. Kështu predikatari, i cili kujtoi, më pas, edhe fjalët e Françeskut në një homeli mbajtur në Shën Martë, kur, lidhur me priftërinjtë e tempullit, që e dëbojnë Judën, foli për klerikalizmin. Juda nuk u duhej më priftërinjve...e flakën, prandaj, tradhtarin e penduar. E lanë të brehej nga tradhtia e vet. Nuk e pritën më, sepse ishin intelektualë të një feje, gatuar nga inteligjenca e tyre  e jo nga zbulesa e Zotit.

Vetëvrasjet e kohëve tona. T’i ndihmojmë të krishterët të mos e humbasin fenë

E, duke folur për vetëvrasjen e Judës, atë Michelini nuk harroi aktualitetin e vetëvrasjeve të asistuara e edhe vetëvrasjet e të rinjve. Prej këndej, shtytja për t’u  drejtuar barinjve pyetjen:

“Si mund t’i ndihmojmë të krishterët e kohës sonë të mos e humbasin fenë, të rifitojnë vetëdijen e fesë së tyre, atë, për të cilën flitet në Besëlidhjen e Re, fenë gazmore, që të pushton tërësisht, bashkimin me Vetjen e Jezusit... Si mund të bëjmë, që të mos ndodhin më këto vetëvrasje?”.

Meditim, ky i sotmi, kushtuar tipareve ekzistenciale të fesë, pyetjeve tona e misionit të Kishës.

08/03/2017 15:06