2017-03-08 14:55:00

Mesazh i Palit VI drejtuar grave


Mesazh i Papa Palit VI drejtuar grave

E tani, po ju drejtohemi ju, gra të çdo shtrese shoqërore, bija, nuse, nëna e vejusha; edhe juve, virgjëra të shuguruara e gra të pamartuara; jeni gjysma e familjes vigane njerëzore.
Kisha, ju e dini, është krenare që e ka lartuar gruan, e ka çliruar dhe ka bërë të shkëlqejë në rrjedhë shekujsh, në përkim me ndryshimet përkatëse, barazinë e saj thelbësore me burrin.
Por vjen koha, e koha erdhi, në të cilën thirrja e gruas përsoset; ora në të cilën gruaja fiton në shoqëri një ndikim, një rrezatim, një pushtetet, që nuk e kishte arritur kurrë deri më sot.
Ju, gra, keni gjithnjë dhantinë e mbrojtjes së vatrës familjare, dashurinë për zanafillën e saj e për vazhdimësinë e saj, për djepat. Jeni të pranishme në misterin e jetës që nis; e të jetës, që shuhet. Teknika jonë rrezikon të bëhet çnjerëzore. Pajtojini burrat me jetën. E, sidomos vigjiloni, ju lutemi, mbi ardhmërinë e species sonë. Ndaleni dorën e burrit në se, në një çast çmendurie, do të tundohej të shkatërronte qytetërimin njerëzor!
Nuse, nëna familjesh, edukatore të para të gjinisë njerëzore në fshehtësinë e vatrave, përçojani bijve e bijave traditat e etërve e, njëkohësisht, përgatitini për të përballuar edhe të papriturat e së ardhmes. Mos harroni se përmes bijve, nëna është e pranishme edhe në atë ardhmëri, të cilën ndoshta nuk do ta shikojë!
Edhe ju, gra të pamartuara, përgjigjuni si duhet thirrjes e përkushtimit tuaj. Shoqëria ju thërret nga të katër anët. E edhe vetë familja nuk mund të jetojë, pa ato, që nuk kanë familje!
Ju, virgjëra të përkushtuara, sidomos, në një botë ku egoizmi dhe kërkimi i kënaqësisë dëshiron t’ju diktojë ligjin, ruajeni pastërtinë, shpërfilljen, përshpirtërinë. Jezusi, që i dha dashurisë bashkëshortore gjithë përsosurinë e vet, e ka lartuar edhe heqjen dorë nga kjo dashuri njerëzore, kur bëhet për dashurinë e pambaruar e vihet në shërbim të të gjithëve.
Gra, që kaloni çaste të vështira, së fundi, ju që rrini nën kryq, si Maria; ju, që shpesh, në rrjedhë historie u dhatë burrave forcë të luftonin deri në fund të fundit, të dëshmonin, deri në martirizim, ndihmojini përsëri të rigjejnë guximin për punë të mëdha, njëherësh me durimin e kuptimin e pikënisjeve të përvuajta.
O ju, gra, që dini ta bëni të vërtetën të ëmbël, të butë, të pranueshme! Përpiquni që shpirti i këtij Koncili të depërtojë në institucione, në shkolla, në vatra, në jetën e përditshme.
Gra të mbarë universit, të krishtera e jo besimtare, që ju është besuar jeta në këtë çast kaq të rëndë të historisë, ju përket juve ta shpëtoni paqen në botë!

Pali VI 8 dhjetor 1965








All the contents on this site are copyrighted ©.