2017-03-06 16:59:00

Ikja e të krishterëve nga Sinai. Atë Samir: bëhet pak për t’i mbrojtur


Në Egjipt vijon largimi i familjeve të krishtera nga Gadishulli i Sinait, pas vrasjes së shtatë koptëve, gjatë tri javëve të fundit, nga ana e xhihadistëve të Shtetit të vetëshpallur Islamik. Mbi situatën, të dëgjojmë komentin e jezuitit egjiptian Samir Khalil Samir, pedagog i islamistikës pranë Institutit Lindor në Romë, në mikrofonin tonë:

Përgjigje: - Janë shtuar muajt e fundit sulmet e grupeve të fanatikëve kundër të krishterëve, me gjithfarë pretekstesh. Duan ta pushtojnë gjithë Gadishullin e Sinait, për ta bërë krejt pronë të tyre: duke parë se po humbin terren në Siri e Irak, kërkojnë strehë në Sinai për të vijuar luftën. E me që atje jetojnë jo pak të krishterë, për ta është rast i mirë të vrasin dy zogj me një gur: të pushtojnë gjithë Sinain dhe të luftojnë kundër të krishterëve. Sipas mendësisë së disa fanatikëve, i krishteri i ka të gjitha mundësitë të jetojë së bashku me myslimanët, por jo me të njëjtat të drejta, duke pranuar, kështu, t’i nënshtrohet sistemit islamik ose duke paguar haraç. Po xhihadistët shkojnë edhe më përtej këtyre normave e i konsiderojnë të krishterët si armiq.

Pyetje: - A bën sa duhet qeveria egjiptiane për t’i mbrojtur të krishterët koptë në Gadishullin e Sinait?

Përgjigje: - Nuk ka menduar të bëjë diçka të veçantë, sepse edhe vetë qeveria duhet të mbrohet nga terroristët. Sidomos, duhet të mbrojë ushtarakët, që pësojnë vazhdimisht humbje. Një gjë e bukur, për t’u kujtuar, është se të ikurit u mikpritën në Ismailia, në Kanalin e Suezit, e jo vetëm nga të krishterët ungjillorë, por edhe nga myslimanët, e qeveria po përpiqet t’i ndihmojë, sepse kanë humbur gjithçka kishin ndërtuar gjatë  tërë jetës.

Pyetje: - Në Kairo, gjatë një konference të kohëve të fundit, me temë: “Liria dhe qytetaria”, organizuar nga universiteti i al-Azhar, Imami i madh Al Tayyib e dënoi këtë spirale të re dhune kundër të krishterëve të Sinait Sa  vlejnë këto fjalë?

Përgjigje: - Janë fjalë, që atij i takon t’i flasë e mendoj se janë të sinqerta. Po kjo nuk do të thotë se mund të bëjë gjë a se do të bëjë gjë në terren. Ai organizoi kuvëndimin e madh me temë “Liri e qytetari”, duke ftuar shumë njerëz, posaçërisht të krishterë. Ishin të pranishëm të gjithë Patriarkët e Lindjes së Mesme. Parimi, që doli nga ky takim, ishte shumë i rëndësishëm: “Të mos bëhen dallime ndërmjet qytetarëve për shkak të fesë. O jemi të gjithë qytetarë të këtij vendi, o nuk ka më vend”. Hap i madh përpara, ky, po të merret seriozisht e të shkohet deri në fund të fundit. E kjo do të thotë edhe njohje e Kartës së të Drejtave Njerëzore, në të cilën pohohet se ndërmjet njerëzve nuk duhet të ketë asnjë dallim sipas fesë, sipas seksit ose sipas ndonjë kriteri tjetër. Por aktualisht dallimi sipas seksit vijon të ekzistojë. Gruaja merr gjysmën e pagës, që merr burri. E burri ka gjithnjë të drejtë ta ndajë lirisht. Dy javë më parë presidenti al-Sisi  kërkoi që ky ligj të shfuqizohet zyrtarisht. Por, për fat të keq, al-Azhar nuk pranoi dhe u përgjigj: “Kjo normë ekzistonte që në kohën e Profetit. Nuk mund ta prekim”. 








All the contents on this site are copyrighted ©.