2017-03-06 13:33:00

Giaccardi: Bibla si celulari, fjala e Françeskut kuptohet nga të gjithë


Ta shikosh Biblën si telefoninin! Porosia e Papës në Engjëllin e Tënzot  të së dielës për ta pasur gjithnjë me vete Fjalën e Zotit, tashmë është sjellë rreth botës. Edhe një herë Françesku diti t’i përcjellë mbarë njerëzimit një mesazh me rëndësi të dorës së parë, të kuptueshëm nga të gjithë. Për këtë “leksion komunikimi” të Papës, intervistuam profesoreshën Chiara Giaccardi, pedagoge e sociologjisë së proceseve kulturore dhe komunikative,  pranë Universitetit Katolik të Milanos:

Përgjigje: - Papa Françesku na ka mësuar tashmë me leksionet e tij të mëdha të komunikimit, por sidomos, me aftësinë për të folur lirisht, me fjalë që i kemi për zemër, që i kuptojmë fare mirë, sepse me to është plot e pëditshmja jonë. Gëte thoshte se gjërat që i duam, na modelojnë e ne, në këtë çast, duam teknologjinë. Prej këndej, një  fjalë, një shëmbëlltyrë e ditëve tona, që niset nga teknologjia, na duket shumë e kuptueshme. Me sa shihet, Papa Françesku na sfidom me një përkim të ri, na shtyn të mendojmë se librat e dispozitivat dixhitale nuk janë dy botë të ndara, por mund të përkojnë – duke e pasuruar të përditshmen tonë.

Pyetje: - Françesku i pyeti besimtarët, gjithnjë në Engjëllin e Tënzot të së dìelës, ç’do të ndodhte sikur  Bibla do të lexohej me të njëjtin ritëm, me të cilin lexojmë mesazhet, që na vijnë përmes telefoninit? Është një thirrje e fortë, që çdo i krishterë ta vërë Fjalën e Zotit në krye të vendit në jetën e vet.

Përgjigje: - Mua më kujtohen fjalët e McLuhan për Biblën dhe revolucionin, që solli me vete, kur u bë libër i shtypur e, prej këndej, u krijua mundësia ta shfletonin të gjithë, ta lexonin individualisht. Ky revolucion u thellua edhe më shumë nga mediat dixhitale. Nëse këto fjalë i kemi gjithnjë me vete e mund t’i lexojmë, kjo do të mund të krijonte një risi të vërtetë në jetën e secilit prej nesh. Papa Françesku na fton, në këtë rast, ashtu si dhe në raste të tjera, të mos mendojmë për zona të padepërtueshme. Ai thotë se gjithçka  është  e lidhur, prej këndej, feja nuk është diçka, që mund të mbyllet brenda së dielës, në meshë, ose në  mjedisin privat të dhomës sate. Feja na shoqëron gjithë jetën, e gjithë jetën na hap dritare të reja. Mua më kujtohet Mesazhi i Benediktit XVI për Ditën e 7-të të Komunikimit, ku i quante mediat porta. Përmes këtyre dritareve, këtyre portave, ne e shikojmë në mënyrë të re realitetin, e shikimi ynë mund të bëhet shumë më i lirë. Më duket se pikërisht këtë dëshiron të nënvizojë Papa Françesku: Bibla nuk është listë rregullash e ligjesh, është dritare, nga hyn ajër i ri, ajër, që na ndihmon të marrim frymë lirisht, duke na bërë më të lirë edhe nga kushtëzimet e së përditshmes.

Pyetje: - Në një nga lutjet e Engjëllit të Tënzot të prillit 2014, Papa Françesku e pati prekur këtë argument. Pati thënë: “Ungjilli mund të lexohet edhe me shumë mjete teknologjie. Mund ta marrësh me vete gjithë  Biblën në telefonin a në tablet”. Papa nënvizoi edhe një herë sa shumë mund të ndihmojë teknologjia edhe për ta pasur gjithnjë pranë Fjalën e Zotit….

Përgjigje: - Papa Françesku na sfidon me një përkim të ri, na nxit të mendojmë se Fjala nuk është vetëm në një libër, që e kemi mbi komodinë, por edhe në një dispozitiv në xhepin tonë e, në çdo çast ne mund të frymëzohemi prej saj. Besoj se kjo është fjalë e rëndësishme, që i çrrënjos paragjykimet tona lidhur me Biblën, e cila nuk është listë ligjesh, normash e rregullash, por Fjalë që çliron, që i zhduk të gjitha kushtëzimet, të cilat shpesh na duken të pashmangshme. Atëhere, ftesa për ta pasur këtë Fjalë pranë, për t’u këshilluar me të, që të mund ta lexojmë edhe realitetin në një mënyrë të re, mendoj se është ftesë për të qenë të lirë. E kjo do të thotë edhe të pranosh se dispozitivat mund të jenë udhë të dorës së dytë, por mund të jenë edhe shtigje lirie, nëse nga këto porta ne lëmë të hyjë e vërteta!  








All the contents on this site are copyrighted ©.