2017-03-06 14:25:00

Festa e 8 marsit në Vatikan, së bashku me veprimtaret e paqes dhe ish-refugjatet


Edhe në Vatikan, më 8 mars, festohet Dita ndërkombëtare e Gruas. Në Shtëpinë Piu IV, në qendër të Kopshteve të Vatikanit,  mbahet një nismë njëditore, ku gratë e impenjuara për paqen dhe ish-refugjatet do të tregojnë përvojën e tyre. Tema: “Zërat e Fesë”.

“Papa Françesku – shpjegojnë organizatorët – po promovon një politikë jo të dhunshme, sipas së cilës, nëse duam që të  vendoset e të ruhet paqja, duhen dëgjuar ç’thonë për këtë gratë”. Edhe në Kishë, është e rëndësishme që gratë ta thonë fjalën e tyre më me forcë.

Marguerite Barankitse u ka shpëtuar jetën rreth 30 mijë fëmijëve

Ndër pjesëmarrëset në këtë nismë, edhe disa ish-refugjate, si për shembull, Marguerite Barankitse, e cila, kur shpërtheu lufta e vitit 1993 në Burundi, adoptoi shtatë fëmijë të mbetur jetimë. Ishte vetëm fillimi i misionit të saj, që u ka shpëtuar tashmë jetën rreth 30 mijë fëmijëve. Me veprën e saj për të mbrojtur, edukuar e dashur këta të vegjël, ajo shpreson të formojë një brez të ri, të aftë të dalë nga rrethi vicioz i dhunës. Duke dëgjuar fjalët e saj, vitin e kaluar, vetë Papa Françesku pati thënë: “S’ka dyshim se në bazën e kësaj vepre qëndron çmenduria e dashurisë për Zotin e për të afërmin. Ah sikur të përhapej kjo vepër!”

Motër Simone Campbell lufton për drejtësinë ekonomike dhe shoqërore

Një tjetër grua, që do të jetë e pranishme në Vatikan, më 8 mars, për të treguar përvojën e vet, është motër Simone Campbell. Shumica e njohin si “murgesha me autobus”. E, para turneut të saj të famshëm me autobus nëpër gjithë SHBA-të, motër Simone punonte aktivisht në favor të të varfërve dhe të mënjanuarve si avokate dhe si kryetare e veprës “Buxheti i besimtarëve”. Në krye të shoqatës “Rrjeti”, lufton që shteti të miratojë politika e ligje për drejtësinë ekonomike dhe shoqërore.

Dy mjeke për refugjatët e kundër luftës

E ç’të thuash për mjeken Scilla Elworthy, pasioni i së cilës është t’i nxisë politikanët të ndërmarrin vendime më të urta, që njerëzit të vuajnë më pak në rastin e luftrave. Përmes Grupit Kërkimor të Oksfordit, arriti të mbledhë liderë nga Kina, SHBA-të, Rusia, Franca, India, Pakistani dhe Britania e Madhe, për të miratuar një kuadër ligjor, që përbën bazën e traktateve të ndryshme për kontrollin e armatimeve. Në kuadrin e “Peace Direct” (Paqe drejtpërdrejt), themeluar prej saj, janë realizuar rreth 1.400 nisma në favor të paqes, në zonat e konfliktit.

Së fundi, Mireille Twayigira, e cila nga refugjate u bë mjeke, do të flasë për gjërat që do të dëshironte të ndryshonte në botë e për mënyrën se si mund të kontribuohet për këtë.

Është hera e katërt, që mbahet kjo nismë, lindur nga bashkëpunimi ndërmjet Shërbimit të Jezuitëve për Refugjatët dhe “Zërave të Paqes” (Fondacioni Goetz). “Janë kohë të vështira për gjithë botën – nënvizon në fjalën e hapjes, eprori i përgjithshëm i jezuitëve, atë Arturo Sosa. Duhet të mendojmë në ç’mënyrë ne, si bashkësi njerëzore, mund t’u japim përgjigjen e duhur. Duhet të punojmë të gjithë së bashku, me vendosmëri, gra e burra të fesë. Do të ngul gjithnjë këmbë për nevojën e këtij bashkëpunimi, duke qenë i bindur se vetëm së bashku mund të arrijmë atë, që sot, duket e pamundur”.








All the contents on this site are copyrighted ©.