2017-03-05 00:30:00

Papa Françesku me kurien romake në ushtrimet shpirtërore


Pasdite, Ati i Shenjtë Bergoglio niset për në Ariccia, në Shtëpinë e Mësuesit Hyjnor, për ushtrimet shpirtërore të Krezhmëve, së bashku me Kurien Romake. Ati i Shenjtë Bergoglio me kardinajtë e anetarët e Kuries do të meditojnë mbi temën “Mundimet, Vdekja dhe Ngjallja e Jezu Krishtit sipas Mateut”, për çka flet françeskani, atë Giulio Michelini. 

Përveçse hyrjes, çdo meditim i ushtrimeve shpirtërore do të niset nga ekzegjeza e një pjese, të marrë nga kapitujt 26-28 të Ungjillit sipas Mateut, duke pasur parasysh Galilenë dhe ngjarjet në fillim të misionit të Jezusit. Nga interpretimi i tekstit do të kalohet në një meditim ekzistencial e shpirtëror. Ushtrimet shpirtërore do të vijojnë deri më 10 mars me reflektime, lutje e heshtje.

Sot, reflektimi me të cilin fillojnë ushtrimet shpirtërore është “Dëshmia e Pjetrit dhe udha e Jezusit drejt Jeruzalemit, Mateu 16, 13-21”. Më pas vijon, adhurimi eukaristik dhe lutja mbrëmësore. Programi i ditëve të tjera të ushtrimeve shpirtërore është ky: në orën 7.30, Mesha: më 8.30, mëngjesi; në orën 9.30, meditimi i parë; më 12.30, dreka; në orën 16.00, meditimi i dytë; në orën 18.00, mbrëmësoret, adhurimi eukaristik; në orën 19.30, darka. Ditën e fundit, të premten, më 10 mars, parashikohet vetëm një meditim.








All the contents on this site are copyrighted ©.