Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Vatikani \ Ngjarje

Imzot Auza në OKB: më se 40 milionë, viktimat e trafikut

Sudanezë të shpërngulur - REUTERS

05/03/2017 16:19

“Selia e Shenjtë dhe lufta kundër trafikut të qenieve njerëzore”. Ishte kjo tema e fjalës, që mbajti këto ditë imzot Bernardito Auza, vëzhgues i përhershëm i Selisë së Shenjtë pranë OKB-së, me rastin e konferencës  përuruese në New York, në katedrën e re të Cassamarca Foundation për globalizimin dhe emigracionin, pranë Fordham University.

Më se 40 milionë, viktimat e trafikut në botë

Fenomeni i trafikut të qenieve njerëzore është tronditës. Viktimat - theksoi prelati, duke kujtuar disa shifra të kohëve të fundit - arrin në rreth 40 milionë. E kësaj popullsie njerëzish, katandisur në gjendje skllavërie - pohoi imzot Auza - i shtohen vit për vit më se tre milionë të tjerë. Pothuajse 80% e viktimave janë gra e fëmijë. Trafiku – saktësoi – është kthyer në industri, përmes së cilës çdo vit sigurohen fitime me vlerë më se 32 miliardë dollarë.

Asnjë vend nuk përjashtohet nga kjo mënxyrë

Përparimet vigane shkencore mund të na shtyjnë të mendojmë se skllavëria është një faqe historie, e cila i takon së kaluarës. Por, po ta vërejmë me kujdes realitetin - vijoi të pohojë prelati - mbetemi të çmeritur kur shikojmë se kjo plagë, me të gjitha format e veta - është ende e pranishme, ndonëse me mënyra më të rafinuara se në të kaluarën. Fenomen në rritje, që nuk njeh kufij e shuplakë e rëndë mbi fytyrën e njerëzimit, ushqehet nga konfliktet dhe nga varfëria e tejskajshme. Asnjë vend – vërejti prelati - nuk është i mbrojtur përballë kësaj skllavërie të pabesueshme, por të gjithëpranishme në kohët tona moderne.

Trafiku i njerëzve shfrytëzon edhe flukset e emigrantëve

Trafiku lidhet edhe me pasojat negative të globalizimit e me flukset e emigrantëve dhe të refugjatëve. Duke u ndaluar në mënyrë të veçantë mbi këtë fenomen, imzot Auza kujtoi se, sipas vlerësimeve të Kombeve të Bashkuara për vitin 2015, emigrantët ndërkombëtarë në botë janë më se 250 milionë. Në krahasim me vitin 2000 - kujtoi nunci - vërehet një rritje prej 40%. Gjithnjë në vitin 2015, më se 65 milionë njerëz u shpërngulën  për shkak të persekutimeve, konflikteve e dhunës. Në këto të dhëna pasqyrohen shpesh format moderne të skllavërisë dhe vuajtjet e miliona njerëzve të pambrojtur.

Bashkësia ndërkombëtare duhet ta zhdukë këtë turp

Imzot Auza kujtoi se ndërmjet objektivave të zhvillimit të qëndrueshëm të Agjendës 2030, është edhe ai i marrjes së masave të frytshme për ta çrrënjosur punën e detyruar, për t’i dhënë fund skllavërisë moderne dhe trafikut të qenieve njerëzore. Bashkësia ndërkombëtare - shtoi - duhet ta vërë në jetë angazhimin e saj për ta zhdukur këtë “turp e marre”!

Angazhimi i Kishës kundër trafikut të njerëzve

Kisha katolike - kujtoi akoma imzot Auza - është e angazhuar fuqimisht  për ta zhdukur plagën e trafikut e, përmes strukturave të saj, jep një kontribut vërtet të çmuar. Papët e denoncuan dhe e dënuan vazhdimisht këtë trafik të turpshëm. Me fjalët dhe veprimet e tij, Papa Françesku - theksoi prelati -  e ka vënë luftën kundër këtij fenomeni në plan të parë të papnisë së tij. Vëzhguesi i Selisë së Shenjtë kujtoi, në përfundim, fjalimin e Papës, mbajtur më 25 shtator të vitit 2015, drejtuar anëtarëve të Asamblesë së Kombeve të Bashkuara: “Duhet të kemi shumë kujdes - pohonte Ati i Shenjtë me këtë rast - që institucionet tona të jenë realisht të afta në luftën kundër gjithë këtyre shuplakave”. “Duhen marrë - shtonte - masa konkrete dhe të menjëhershme”.

05/03/2017 16:19