Lutje e frymëzuar nga Liturgjia e Fjalës së Zotit, posaçërisht nga Ungjilli (Mateu 4,1-11) i së Dielës I të Kreshmëve:Tundimi
Nëse ti je vërtet Bir i Zotit....
kështu u tall shejtani me Ty,
pse duhet të vuash nga etja, uria
si vuan i vdekshmi në këtë jetë?
Ç’ndryshim, nëse forcën përdor,
e gurët i shndërron në bukën e përditshme?
E dhimbje e vdekje i zhduk përgjithmonë
prej faqes së dheut?
Pse ti, Bir Zoti, s’i thith turmat pas teje?
Mjafton një mrekulli, një e vetme
për t’ia ndryshuar faqen e zezë kësaj bote!
Pse ti, Bir Zoti
nuk do ta kryesh misionin tënd pa dhimbje?
E udhën ta shkelësh pa kryq përmbi shpinë?
Ti mund t’i zgjedhësh mes turmës
ndjekësit e tu,
gati të flijohen për ty!
E edhe udhët përpara teje
të tëra mund t’i shkelësh.
pa fshikullimë kamxhiku...
Po pse atëhere, mundohesh e mundon?
Veç pse do të jesh Biri i Zotit,
ashtu si do ti – e jo unë!?”.
Kështu u tall shejtani me ty,
O Zoti im i kryqëzuar!
Po Ti, fli e hyjnueshme, iu binde Atit,
jo djallit!
Gjakun e derdhe për racën njerëzore!
Me krahë të gozhduar ia rroke,
pjesën e ligshtë të shpirtit
dhe e nxore nga flaka – në fllad:
“Ashtu si desh Zoti, jo djalli!”.
All the contents on this site are copyrighted ©. |