Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Kisha \ Kisha shqiptare

Libri “Imzot Vinçenc Prennushi me shokë martirë”: dy fjalë për veprën e atë Di Pinto

Martirët e Kishës shqiptare - RV

04/03/2017 00:00

Ngjarja aq shumë e pritur u realizua. 38 martirët të Kishës shqiptare, viktima të diktaturës komuniste, u Lumnuan. E lumnia e tyre i lumnoi besimtarët, e jo vetëm ata! 38 martirë të Lum. Në pritje të të tjerëve. Sepse ishin edhe të tjerë në listë si Atë Paliç e dom Gazulli. E të tjerë akoma, në listat e Zotit, që sigurisht një ditë do të shkruhen edhe në listat e njerëzve. 38 të Lum. I pamë duke u lartuar në elter e duke na rikujtuar se “Zoti vonon, por nuk harron!”. Tani na takon ne të zgjedhim, në aradhen e tyre, një shok udhe për çdo ditë. Ta njohim më nga afër, t’i ecim për gjurmë, t’i lutemi për ndërmjetësim pranë Hyjin… Mund ta bëjmë edhe duke shfletuar librin:“Imzot Prennushi me shokë martirë”, dy vëllime me përmbajtje hagjiografike, shkruar me kompetencë e mjeshtri nga postulatori i çështjes së Lumnimit, atë Leonardo di Pinto OFM, botuar nga Arqipeshkvia Metropolitane Shkodër-Pult në shtator 2016, shtypur në Entin Botues “Gjergj Fishta”, në Lezhë, në gjuhën italiane, me një përkthim edhe në gjuhën shqipe, paraqitur më 26 tetor 2016, në Sallën “Mikel Koliqi”.

Peshojnë rëndë, dy vëllimet: i pari ka 546 faqe, i dyti, 507. Por më rëndë peshojnë Figurat, që ruhen ndërmjet dy kapakëve të thjeshtë të librit, e edhe dëshmitë e njohura e të panjohura, të mbledhura me kujdesin e dijetarit e dashurinë e meshtarit, nga Postulatori. Dëshmi tronditëse, fjalë që tingëllojnë si lutje duke e nxitur edhe lexuesin të lutet bashkë me ata, që derdhën gjakun, Për të na prirë kah Krishti!

Ia vlen t’i lexosh këto dy vëllime. E jo me një frymë, si lexohen romanet.  Duhen lexuar, si lexohet Bibla, si lexohen librat e lutjeve, si lexohen jetët e shenjtorëve, pak nga pak, duke medituar e duke e vënë veten para alternativës: Krishti - apo plotoni i pushkatimit… që urojmë të mos përsëritet kurrë më. Por edhe duke u kujdesur të mbledhim dëshmi të reja, me shkrim a me gojë, për të Lumët, që t’i shikojmë shenjtorë, e për të tjerë, që t’u hapet rruga e lumnimit. Në ditët kur kremtoheshin të 38-tët, u kujtuan edhe emra të tjerë, që nuk përfshihen në këtë libër kushtuar të Lumëve, por që sigurisht të lumë janë para fytyrës së Zotit. Të vijojmë pra, mbledhjen e dëshmive të reja të martirizimit. Ruajtur në ndonjë fund arke a sirtari biblioteke të vjetër e të harruar.

Libri i Lumnisë nuk ka përfunduar, nuk përfundon kurrë, sepse ka me dhjetra njerëz të tjerë, që u flijuan në mënyra nga më të ndryshmet, edhe në fshehtësi, duke dhënë dëshmi, që nuk i di kush tjetër, veç Zotit. Të kujtojmë vetëm ndonjë emër, që u përmend njëlloj me emrat e të Lumëve ato ditë lumnie për Kishën katolike në trojet shqiptare: “Atë Pjetër Meshkalla”. Sa njerëz dëshirojnë ta shikojnë në lartësinë e elterit! Sa e njohën! Sa patën fatin të kenë letra e shkrime të atij Burri të madh-imcak, që mund të vlejnë si dëshmi për lumnimin e tij e të të tjerëve, në një vend i cili mund të thirret, me plot gojën,  “vend martirësh”. Duke nisur që nga “"Marzia1 , martirja e parë e krishtenimit ndër shiptarë”, figurën e së cilës na e la trashëgin dom Ndoc Nikaj, në veprën me të njëjtin titull… Për të vijuar me figurën vigane të Atë Anton Harapit, që na e la vetveten në një mori shkrimesh, pa harruar se la pas edhe po aq dëshmi të pashkruara….  

Menduam, prandaj, ta shfletojmë nganjëherë, për ju, këtë libër, duke nisur që nesër nga fundi heroik i Grupit të Dëshmorëve të 4 marsit 1946, parë përmes një mori dëshmish e dokumentesh të panjohura, që postulatori i gërmoi ku mundi: që nga arkivat e jezuitëve për të përfunduar tek ato të gjykatës së lartë. Mjafton të lexosh bibliografinë e gjatë, në fund të librit, që të të hapen para horizonte të reja për martirizimin jo vetëm të njerëzve të kishës katolike shqiptare, por të gjithë shqiptarëve të ndershëm që, në një mënyrë a në një tjetër, përshkuan, nën diktaturë, udhën e Kryqit.

1 Dom Ndoc Nikaj: “Marzia e ksctenimi n'filles t'vet". 

04/03/2017 00:00