2017-03-03 15:27:00

Selia e Shenjtë: jo. dënimit me vdekje, nuk bëhet drejtësi, duke vrarë


Në gjendjen aktuale, nuk kemi prova të mjaftueshme për të dëshmuar se dënimi me vdekje ka efekt frikësues mbi kriminelët. Ky, mendimi që shprehu Vëzhguesi i Përhershëm i Selisë së Shenjtë, kryeipeshkvi Ivan Jurkoviç, duke folur dje në Kombet e Bashkuara të Gjenevës. Prelati  vlerësoi përpjekjet e ndërmarra në shumë vende, për ta zhdukur dënimin  me vdekje dhe kujtoi përsëri shenjtërinë e jetës nga zënia, në vdekjen e natyrshme. Duke cituar Papën Françesku, nënvizoi me forcë se edhe krimineli ka të drejtë të paprekshme për të jetuar.

Drejtësia njerëzore është e gabueshme, dënimi me vdekje, i pakthyeshëm

“Drejtësia njerëzore - shtoi kryeipeshkvi - mund të gabojë, por dënimi me vdekje nuk mund të kthehet pas e, nganjëherë, zbatohet edhe mbi njerëzit e pafajshëm”. Për këtë arsye Vëzhguesi i Përhershëm i Selisë së Shenjtë pranë Kombeve të Bashkuara, i ftoi autoritetet ligjore e gjyqësore të kërkojnë të gjitha rrugët e nevojshme që fajtorët të pendohen e të mund  t’i ndreqin fajet e veta. Imzot Jurkoviç citoi fjalët e Papës: “Për një Shtet të së drejtës, dënimi me vdekje është dështim, sepse e detyron shtetin të vrasë në emër të drejtësisë. Po drejtësia nuk mund të vihet kurrë në vend duke mbytur njeriun”.

Masa njerëzore, për t’iu kundërvënë krimit

“Ka masa më njerëzore për ta përballuar krimin”. Delegati i Selisë së Shenjtë e shprehu këtë bindje, duke  ftuar t’i sigurohet viktimës drejtësia,  e kriminelit, e drejta për të ndryshuar jetën. Kjo - sipas imzot Jurkoviç - do të favorizojë zhvillimin e një shoqërie më të drejtë, që e respekton plotësisht dinjitetin e njeriut.

Burgime më dinjitoze e procese më të drejta

Së fundi, duke kujtuar angazhimin e Selisë së Shenjtë kundër dënimit me vdekje, e duke u mbështetur, si masë e përkohshme, në moratoriumet e vendosura nga rezoluta e Asamblesë së Përgjithshme 2014, prelati i ftoi shtetet anëtare t’i përmirësojnë kushtet e burgjeve, duke respektuar  dinjitetin e çdo njeriu, pavarësisht nga krimet e kryera e t’u garantojnë të pandehurve procese sa më të drejta.








All the contents on this site are copyrighted ©.