2017-03-03 13:57:00

Drejtësia shoqërore dhe respekti për Gjithësinë, që të shpëtojmë nga zhdukja


Kemi nevojë për drejtësi shoqërore dhe respekt për ambientin, që të shmangim shkatërrimin e Shtëpisë së Përbashkët dhe luftën për burimet natyrore. Këto janë përfundimet e Seminarit, organizuar në Vatikan nga Akademia Papnore e Shkencave. Të pranishmit reflektuan mbi temën: “Zhdukja biologjike. Si ta shpëtojmë ambientin natyror, nga i cili varemi”.

Rezultatet u paraqitën, këto ditë, në një konferencë për shtyp. Sado të na duket larg, u theksua, zhdukja biologjike është e pakthyeshme, e kemi pas derës, pikësëpari, për fajin e ngrohjes globale dhe të ndryshimeve të klimës, që mund të shkatërrojnë 20-40% të biolarmisë në Tokë, brenda këtij shekulli; së dyti, për shkak të konsumit intensiv, të shfrytëzimit pa kriter të burimeve natyrore, të çpyllëzimit masiv. Mbijetesa e natyrës, pra, edhe e jona, paralajmërojnë shkencëtarët dhe ekspertët, varen nga zbatimi i parimeve të drejtësisë shoqërore dhe nga respekti për ambientin. Duhet të mendojmë më shumë për të mirën e përbashkët e të veprojmë në favor të saj, siç nënvizoi kancelari i Akademisë Papnore të Shkencave, imzot Marcelo Sanchez Sorondo:

“Kjo është ideja themelore e Kishës: të mendojmë për të mirën e përbashkët, për të mirën e çdo njeriu dhe jo vetëm për fitimet. Thuhet qartë në Dokumentin përfundimtar se gjëja më e rëndësishme është çrrënjosja e varfërisë; së dyti, duhet të kërkojmë një drejtësi shoqërore botërore: nuk është e mundur që pak të pasur të shoqërive shumëkombëshe të zotërojnë më se 50% të të gjitha pasurive të natyrës. Nuk është e drejtë! Prandaj, është e nevojshme që qeveritë të përdorin taksat, edhe duke i imponuar, për të mirën e përbashkët, që të varfërit e Amazonës t’i mbajnë për vete pyjet, për shembull, e jo të detyrohen t’i shesin për të mbijetuar”.

Problemi, nënvizoi kryetari i Akademisë Papnore të Shkencave, Werner Arber, Çmim Nobel për Mjekësinë, nuk është aq e ardhmja e bijve apo e nipave tanë, por fakti nëse bota do të jetë në gjendje të na mbajë për pjesën e jetës, që na ka mbetur, sepse veprimtaria e njeriut po shtyn drejt zhdukjes specie, që aktualisht, na mundësojnë jetën. Përgjigjja është një model zhvillimi, që respekton ambientin, parashikon pakësimin e veprimtarisë njerëzore mbi ambientin dhe përdorimin e teknologjive jo shkatërruese, jo lakmuese. Të dëgjojmë sërish imzot Sorondon:

“Ne as që i njohim të gjitha speciet ekzistuese… ne njohim vetëm një pjesë tepër të vogël. E thotë edhe Papa në Enciklikë. Dimë se shumë lloje po zhduken e kjo është e tmerrshme: është e tmerrshme për të ardhmen dhe për harmoninë e jetës njerëzore. Shkaku themelor për gjithë këtë është përdorimi i energjive, që vijnë nga nafta e nga karboni, të cilat ndryshojnë ciklin e ujit, duke bërë ta humbasim biolarminë”.

Deri në vitet ’60, njerëzimi përdorte rreth 70% të kapacitetit të planetit, sot përdorim rreth 156%, pasi jemi më shumë e i shfrytëzojmë më tepër burimet natyrore. E megjithatë, 800 milion vetë vuajnë nga ushqimi i keq kronik e rreth 100 milion vuajnë nga uria. Imzot Sorondo shpjegoi se nuk është fjala të zvogëlohet popullsia me metoda artificiale për të kontrolluar lindjet, por duhet të punojmë për një konsum më të drejtë, që nuk e shkatërron Tokën dhe nuk shkakton luftë për pasuritë natyrore:

“Nuk është popullsia ajo, që prodhon dioksidin e karbonit; është veprimtaria njerëzore, që ka nevojë për energji, prandaj prodhon ndotjen e ambientit. Ne kërkojmë të mos përdoren më këto lloj energjie për veprimtaritë njerëzore, por të përdoren teknologji të afta për t’u dhënë më tepër ushqim njerëzve. Detyra e parë është të shpëtojmë ujin nga ndotja… Çështja e ujit, siç ka thënë edhe Papa, është qendrore, sepse gjëja e parë që prodhon ngrohja globale është pikërisht ndryshimi i ciklit të ujit, që mund të shkaktojë luftra më vonë”.

Konkretisht, ç’duhet bërë për të shmangur zhdukjen e njeriut? Sipas Seminarit të mbajtur në Vatikan, duhet të përpiqemi ta ruajmë biolarminë: të mbrojmë natyrën, sidomos zonat e rëndësishme topografike, të garantojmë marrëdhënie të qëndrueshme me të; “t’i zbusim” organizmat, ashtu si kafshët shtëpiake, ose t’i kultivojmë apo t’i ruajmë në bankat e farërave, në mënyrë që të mos zhduken. Për disa prej tyre mund të nevojitet krio-konservimi. Të gjitha këto metoda duhen përmirësuar e zbatuar mbi bazën e njohurive më të thella për organizmat, por do të kenë sukses afatgjatë, vetëm kur të ekzistojnë kushtet e përshtatshme shoqërore e kur të gjenden alternativa ndaj sulmit shkatërrimtar kundër Tokës, vënë në jetë prej dhjetra mijëra vjetësh nga ne e paraardhësit tanë. 








All the contents on this site are copyrighted ©.