2017-03-02 00:00:00

Ushtrimet shpirtërore me Papën. Atë Michelini: kohë për t’u ndalur


Të mërkurën e ardhshme, më 1 mars, me kremtimin e ritit të Përhimjes, fillojnë Krezhmët. Nga data 5 deri më 10 mars, Papa Françesku, së bashku me Kurien Romake, do të shkojë në Shtëpinë e Mësuesit Hyjnor në Ariccia, pranë Romës, për ushtrimet shpirtërore tradicionale. Në qendër të meditimeve, Mundimet e Krishtit, vdekja e ringjallja e Jezusit sipas shën Mateut ungjilltar. Ushtrimet do të udhëhiqen nga françeskani, atë Giulio Michelini, 53 vjeç, milanez, pedagog në Institutin teologjik të Asizit. E pyetëm si e priti këtë detyrë:

Duhet të them të vërtetën, në çastin e parë, atij që ma bëri propozimin – njëri nga bashkëpunëtorët e ngushtë të Papës – i thashë menjëherë: “Mirë, ashtu qoftë, në dorë të Zotit”. Fola me atin tim shpirtëror, që më ndihmon e më jep këshilla e, ai më pyeti: ‘Atë Giulio, a e kërkove ti këtë?’, e unë: ‘Jo, as më ka shkuar ndërmend!’. Pastaj, më tha: ‘Fol sikur të ishe duke i folur një dishepulli të Krishtit, siç bën ti zakonisht’. E kjo, më qetësoi.

 Ju jeni ekspert i shën Mateut ungjilltar e pikërisht Mundimet e Krishtit sipas Mateut do të jenë në qendër të meditimeve…

Ungjilli sipas Mateut është Ungjilli i Kishës, sepse vlerëson, më tepër se të tjerët, figurën e Pjetrit. Është i vetmi Ungjill, në të cilin përdoret dy herë fjala ‘ecclesia’ – Kisha; është Ungjilli, që flet më tepër për shën Pjetrin. Prandaj, m’u duk gjë e bukur të rri para Pasardhësit të Pjetrit e të flas me të për Ungjillin e Kishës, që është një mënyrë tjetër për ta quajtur Ungjillin sipas Mateut.

Më se një herë, Ati i Shenjtë i është referuar thirrjes së Mateut, që ka ndikuar shumë në jetën e tij shpirtërore…

E me të vërtetë, kjo është ide e rëndësishme, sepse në atë thirrje – siç vë në dukje edhe Papa – gjejmë vështrimin e mëshirshëm të Krishtit. Nëse e shqyrtojmë mirë, Ungjilli sipas Mateut është Ungjilli i mëshirës. Fjala ‘éleos’ (mëshirë në greqisht) përmendet më shpesh në Ungjillin sipas Mateut se sa në Ungjijt e tjerë. Prandaj, megjithëse është Luka ai, që na tregon shembëlltyrat e mëshirës, si ajo e kapitullit XV, ajo e deles së humbur, e djalit plangprishës, e monedhës së rigjetur… duhet thënë se është Mateu ai, që ngul këmbë në këtë koncept e Papa është identifikuar me vështrimin e Jezusit që thërret Pjetrin, sepse edhe vetë Ati i Shenjtë është thirrur dhe Zoti ka pasur mëshirë për të.

Siç i pati menduar Shën Injaci i Lojolës, i cili për herë të parë, pati idenë dhe formuloi ushtrimet shpirtërore, ato janë kohë, që çdo i krishterë duhet t’ia kushtojë krejtësisht Zotit. Për çfarë shërbejnë ushtrimet shpirtërore?

Problemi është pikërisht ky. Në jetë, ne ecim përpara, duke bërë njëmijë gjëra. Ndoshta, do të ishte mirë të ndalemi pak, si gjatë ditës, ashtu edhe në një kohë të caktuar e të veçantë si Krezhmët e ta pyesim veten: “Ku po shkoj? Çfarë po bëj? Pse po e bëj? A po e bëj mirë? Kush më prin? A më prin Shpirti Shenjt? Apo shkoj pas dëshirës sime për sukses? Më udhëheq dëshira për pushtet, për para? Si i jetoj marrëdhëniet me të tjerët?”. Ndoshta, mund të themi: le të bëjmë çdo ditë një bilanc, një shqyrtim të vetvetes. Krezhmët, në fund të fundit, janë këto; është kohë për t’u ndalur. Ja, unë propozoj një agjërim të veçantë nga gjërat, që nganjëherë, na e marrin mendjen, si, për shembull, bombardimi mediatik, nga i cili duhet të kemi shumë kujdes. Ndërsa po bëjmë intervistën, besoj se më kanë ardhur të paktën pesë mesazhe në whatsapp e tani, unë jam i detyruar t’i shoh. Vërtet, nganjëherë, sasia e informacioneve, edhe të rëndomta, që derdhen mbi ne, mund të jenë madje, të rrezikshme. Prandaj, ushtrimet shpirtërore janë një formë pushimi, për ta rimarrë veten e për t’u ndalur. Kemi vërtet nevojë, sidomos në këtë periudhë.








All the contents on this site are copyrighted ©.