2017-03-01 14:46:00

Imzot Bregantini komenton mesazhin e Papës për Krezhëm: të mos lëmë askënd jashtë


Me të Mërkurën e Përhime fillojnë Krezhmët, kohë liturgjike, që na çon drejt Pashkëve të Ngjalljes së Zotit. Në orën 16.30, Papa Françesku do të kryesojë liturgjinë stacionale, e cila ndiqet nga një procesion pendestar, nga Kisha e Shën Anselmit në Aventin deri në Bazilikën e Shën Sabinës, ku kremtohet mesha me ritin e bekimit të hirit e të përhimjes. Përveç kardinajve dhe ipeshkvijve, të pranishëm edhe murgjërit benedektinë dhe etërit domenikanë.

        Këtë vit, Kisha i fillon Krezhmët me ftesën e Papës për t’ia hapur zemrën tjetrit, sidomos, vëllait në nevojë, të sëmurit, të vetmuarit, që lyp dashuri në pragun e shtëpisë sonë. Në mesazhin e këtij viti, me titull “Fjala është dhuratë, tjetri është dhuratë”, Ati i Shenjtë ngul këmbë në nevojën për ta lënë mënjanë egoizmin e narcizizmin, që na skllavërojnë, për të parë Krishtin në fytyrën e tjetrit. Përpjekje e vështirë për njeriun, por plotësisht e mundur me ndihmën e Zotit. Të dëgjojmë reflektimin e kryeipeshkvit të Campobasso-Bojanos, imzot Giancarlo Bregantini:

         “Si dioqezë, kemi zgjedhur figurën e Jonës për të na ndihmuar gjatë këtyre Krezhmëve. E Jona është pikërisht ikona e fjalëve të Papës në mesazhin krezhmor. Edhe ai nuk di të vendosë ndërmjet dy qyteteve: në Ninive, impenjimi, serioziteti, besnikëria e sakrificat; në Tarsis, kënaqësia e rehatit, dembelia… Më duket se është jashtëzakonisht e nevojshme të bëjmë siç kërkon Papa: të jetojmë thirrjen e Zotit për të shkuar e për ta kthyer Niniven në rrugën e drejtë. Është një botë e vështirë, janë periferitë, realitetet dramatike, ambientet në të cilat duhet çuar Ungjilli”.

         Në qendër të reflektimit krezhmor të Papës Françesku, shembëlltyra e të pasurit pa emër dhe e Lazrit të varfër, që jo vetëm ka emër, por edhe fytyrë, histori e Zoti e do fort, prandaj është ai vetë pasuri e paçmuar, pavarësisht se njerëzit e përçmojnë. Ati i Shenjtë ngre zërin për të paralajmëruar atë 1% të popullsisë, që ka në dorë pjesën më të madhe të pasurisë, idhull tiranik, që pengon paqen dhe ngre mure të vështira për t’u shembur. Sërish imzot Bregantini:

         “Papa Françesku na bën thirrje për një jetë të thjeshtë, për të mos lënë askënd jashtë derës. Megjithëse, duhet thënë se të varfërit shtohen gjithnjë, prandaj, do të jetë gjithnjë e më e vështirë të bëhet kjo. Duhet të ushtrohemi, edhe gjatë këtyre Krezhmëve, për të mos e lënë veten në dorën e frikës nga numri i jashtëzakonshëm i të varfërve. Hapi i parë për këtë është shpirtëror: ta ndjejmë se i varfëri kërkon atë, që i takon, prandaj lëmosha na lejon t’i kthejmë ç’i përket e nuk është bamirësi. Së dyti, duhet të gjejmë rrënjët e varfërisë, të mos ndalemi tek lëmosha, por t’i japim asaj shijen e një reflektimi me natyrë kulturore, shoqërore, në mënyrë që t’i përgjigjemi thirrjes së 50 vjetëve më parë, e cila na kërkon të favorizojmë realitetet afrikane, duke u dhënë një ndihmë, që në fund të fundit, na favorizon edhe ne. Nëse do ta kishim dëgjuar Papën Pali VI, nuk do të kishim barka me emigrantë sot. Evropa sot, derdh lot për gabimet egoiste të mbylljes në vetvete, që kemi bërë atëherë. Ta ndihmosh tjetrin për t’u zhvilluar nuk do të thotë të humbësh ti, por të fitosh dy herë: ai zhvillohet e unë zhvillohem bashkë me të”.

         Për të arritur në këtë përfundim, siç shpjegon Papa në Mesazhin e Krezhmëve, është themelore ta jetojmë Fjalën e Zotit, sepse kush nuk e zbaton atë, nuk e do Krishtin e si pasojë, e përbuz të afërmin. Në udhën e kthimit kah Zoti, gjatë Krezhmëve, Ati i Shenjtë i fton besimtarët të përdorin ato “mjete të shenjta”, që na jep Kisha për ta përtërirë shpirtin: lutjen, agjërimin, lëmoshën. Reflektimi i imzot Bregantini-t:

         “Fjala e Zotit është themelore. Për shembull, ta hapim gjithnjë e më shpesh Biblën, ta çojmë në shtëpi, t’i japim Udhës së Kryqit shijen e mishërimit në jetë. Fjala e Zotit që hyn në çenakujt e Ungjillit, në kuzhina e, jo vetëm në temjanin e katedraleve. Ja, këto janë gjërat, që kërkojnë Krezhmët prej nesh. Agjërimi i parë është të heqim dorë nga dhuna, nga dashakeqësia, nga tregimi i të tjerëve me gisht. Pjesa biblike nga kapitulli 58 i Librit të Isaisë, që lexojmë këto ditë, është më se e qartë. Janë fjalë për t’u medituar me zemër, sepse të gjithë ne e ndjejmë se dhunën e kemi brenda, e nëse arrijmë të fitojmë mbi të përmes butësisë e mëshirës, është e mundur me të vërtetë të japim shpresë e dritë edhe në rastet më ekstreme, siç ndodhi këto ditë në Zvicër… Sa do ta kishim dashur Nënë Terezën pranë këtij të riu 40-vjeçar në Zvicër! Ndoshta, do të ishte akoma gjallë…”.

         Imzot Bregantini i referohet të riut italian, Dj Fabo, që shkoi për eutanazi në Zvicër e i mbylli sytë për këtë jetë pikërisht këto ditë, duke shkaktuar një stuhi me polemika e diskutime në Itali. E Mërkura e Përhime kremtohet kështu, duke kujtuar brishtësinë e njeriut, por edhe pa harruar se ky është çast kulmor e i përshtatshëm për pendesë e për të nisur udhën e kthimit drejt dritës, gjatë së cilës çdo njeri mund t’i shtrijë dorën për t’u ngritur dikujt, që është penguar e ka rënë, dikujt, që ka humbur gjithçka.








All the contents on this site are copyrighted ©.