2017-03-01 17:09:00

Françesku: degradimi ambiental, pasojë e padrejtësisë shoqërore


Papa Françesku i drejton Mesazhin e tij pjesëmarrësve në Fushatën e Vëllazërimit, organizuar për Kreshëm, nga Kisha braziliane. Sivjet  tema e takimit përqendrohet tek ekosistemet dhe mbrojtja e jetës. Duhet fituar vetëdija - thekson Papa - se degradimi ambiental shoqërohet gjithnjë nga padrejtësia shoqërore, e ata që paguajnë, janë njerëzit më të ligshtë.

Krijuesi - shkruan Papa në mesazh - ka qenë tejet bujar me Brazilin, të cilit i dhuroi një larmi mahnitëse ekosistemesh, me bukuri të rrallë. Por, për fat të keq - shton Françesku - shikojmë edhe shenja agresioni kundër krijesës e dëmtimi të natyrës. Kisha në Brazil, përsa i takon respektimit dhe kujdesit për ambientin si edhe për të varfërit, ka qenë “zë profetik”. E jo vetëm - nënvizon Papa - Kisha jo vetëm që ka tërhequr vëmendjen mbi sfidat dhe problemet ekologjike, por ka zbuluar edhe shkaqet e mënyrat për t’i kapërcyer.

Degradimi ambiental shoqërohet gjithnjë nga padrejtësia shoqërore

Papa thekson fort se gjithësia duhet trajtuar me kujdes, përmes promovimit të marrëdhënieve vëllazërore, që gjejnë shprehjen e vet edhe tek “Fushatat e Vëllazërisë”. Më pas shton se degradimi ambiental shoqërohet gjithnjë edhe nga padrejtësia shoqërore, e ata, që paguajnë, janë njerëzit më të ligshtë. Nuk mund të mos i kemi parasysh - shton Papa - efektet e degradimit ambiental, modelin aktual të zhvillimit dhe kulturën e hedhurinës, që peshon rëndë mbi jetën e njerëzve. Kjo fushatë na fton ta kundrojmë, ta admirojmë, ta falënderojmë e ta respektojmë larminë e natyrës, që shfaqet  në ekosistemet e ndryshme të Brazilit – një dhuratë e vërtetë e Zotit - përmes promovimit të marrëdhënieve respektuese të popujve, që jetojnë në mjedise të tilla. Kjo - nënvizon Françesku - është një nga sfidat më të mëdha në të katër anët e botës.

Nga popujt autoktonë mund të mësohet modeli i zhvillimit të qëndrueshëm

Popujt vendas, të lidhur me ekosistemet përkatëse, janë shembull i qartë, që tregon se bashkëjetesa me krijesën mund të jetë e respektueshme, pjellore dhe e mëshirshme. Duhet mësuar nga këta popuj mënyra e krijimit të marrëdhënieve me natyrën. Kështu - përfundon Papa – mund të gjindet “një model i qëndrueshëm, i cili mund të jetë alternativë me vlerë, përballë etjes së shfrenuar për fitime, që i shteron burimet natyrore dhe e dëmton dinjitetin e popujve”.








All the contents on this site are copyrighted ©.