2017-02-27 17:32:00

Kard. Scola: Papa në Milano, rast takimi për besimtarë e jo besimtarë


Kryeipeshkvi i Milanos, kardinali Angelo Scola, mbajti sot një konferencë për shtyp, gjatë së cilës shpjegoi detajet e vizitës baritore të Papës Françesku më 25 mars. Ati i Shenjtë, nënvizoi ai, synon t’i përforcojë milanezët në fe e t’u tregojë atyre çfarë ka me të vërtetë vlerë në jetë. Ky është objektivi, sipas kardinalit Scola.

Ritme intensive për një vizitë, që nuk duhet të jetë e blinduar, pavarësisht se Milano do të rreshtojë mijëra agjentë policie. Sipas kardinalit, do të mbizotërojë takimi me Papën, i cili, fillimisht do të shkojë në periferi, në shtëpitë popullore të rrugës Salomone, pastaj, do të takohet me rregulltarët në Duomon e qytetit, para se të zhvendoset në burgun San Vittore, ku do të pritet nga të burgosurit e do të hajë drekë me ta. Vullnetarët, që do ta bëjnë të mundur këtë shtegtim do të jenë rreth 4.700 vetë.

Qendra e kulmi i vizitës së Atit të Shenjtë do të jetë mesha e orës 15.00 në parkun e Monza-s, në të cilën priten rreth 500 mijë vetë. Tashmë janë organizuar 3.500 autobuze dhe më se 400 trena të veçantë drejt Milanos. Qytetarët ftohen të lëvizin me biçikleta, ose në këmbë – shenjë kjo, e kujdesit për ambientin. “Rast takimi për të gjithë – tha kardinali Scola – për besimtarë e jo besimtarë”. Së fundi, Papa Françesku do të përqafojë, në stadiumin e San Siros, fëmijët, që krezmohen. E pikërisht këtu, Papës do t’i dhurohet plani i jashtëzakonshëm për të çrrënjosur, brenda 2020-ës, varfërinë në gjirin e fëmijëve të Milanos.








All the contents on this site are copyrighted ©.