2017-02-27 18:18:00

Jugu i Sudanit. Ipeshkvi Yei: “Njerëzit luten që Papa të vijë”


Jehonë të fuqishme patën fjalët e Papës që dje, në Kishën anglikane të të Gjithë Shenjtorëve, foli për mundësinë e një vizite në Sudanin e Jugut, vend i martirizuar nga lufta civile, ku rreth 100 mijë njerëz vuajnë nga uria, në kuptimin më të mirëfilltë të fjalës.

Janë tre - ipeshkvijtë sudanezë - një anglikan, një presbiterian e një katolik, - që i kërkuan Papës ta vizitojë vendin e martirizuar, qoftë edhe për një ditë të vetme, së bashku me ipeshkvin e Canterbury, Justin Welby. E pohoi vetë Papa Françesku, që foli për një shtegtim studimi në Sudanin e Jugut. Për jehonën e këtyre fjalëve, të dëgjojmë imzot Erkolano Lodo Tombe, ipeshkëv i Yei, në Sudanin Jugor:

"I’m delighted, I am happy to hear that the Pope may come, may come to South Sudan. …

Jam entuziast e i lumtur kur dëgjoj se Papa mund të vijë në Sudan. Ati i Shenjtë nuk premton, shpreson. Prandaj njerëzit thonë: lutemi për ardhjen e Papës në Sudanin e Jugut. Ardhja e tij do të kishte një domethënie të madhe për fenë tonë e për jetën tonë, madje edhe për jo të krishterët, për gjithë popullsitë e Sudanit Jugor”.

Pas dhjetra vitesh konflikti gjaktar, Sudani i Jugut, i krishterë e animist, arriti të fitojë pavarësinë, duke u shkëptur nga veriu arab e islamik në vitin 2011. Por shumë shpejt, e pikërisht në vitin 2013, këtu nisi ankthi i luftës civile, që pastaj, pavarësisht nga marrëveshjet e paqes, rifilloi në korrik të vitit të kaluar. Ndeshen grupet, që mbështesin presidentin Salva Kiir, i etnisë Dinka, me ata, që lidhen me zëvendësin e tij, Riek Machar, i etnisë Nuer. Vendi është zhytur në vrasje, përdhunime, tortura, plaçkitje e uri. Janë në rrezik vdekjeje nga uria më se 100 mijë vetë, edhe për faj të  thatësirës së madhe, që pati si pasojë zinë e bukës. Më se 2-3 milionë sudanezë u shpërngulën ose ikën në viset fqinje. Mbi situatën dramatike flet, akoma, imzot Tombe:  

"The current situation in our Country, in South Sudan, is still the situation of a civil war …

Në këto çaste Sudani i Jugut jeton në kushtet e luftës civile. Ka vrasje e ikje të vazhdueshme në vendet e afërme. Rrënimi i kishave është në rend të ditës. E megjithatë, njerëzit janë të bindur se heret a vonë kjo situatë tragjike do të marrë fund. Të gjithë shpresojmë ditë më të mira. Nuk jam në gjendje ta përcaktoj kur, por që do të mbarojë, do të mbarojë sigurisht. E kjo, sepse si Kisha, si popullsia, si qeveria, duan t’i japin fund kësaj situate të shëmtuar në vendin tonë.

Edhe Papa bëri një thirrje të fuqishme, në audiencën e përgjithshme të së mërkurës së kaluar, për Sudanin e Jugut.

Këto, fjalët e Françeskut, në favor të këtyre njerëzve:

“Ngjallin shqetësim të veçantë lajmet e dhimbshme, që arrijnë nga Sudani i martirizuar i Jugut, ku një konflikt vëllavrasës i shtohet krizës së rëndë ushqimore, e cila dënon me vdekje nga uria miliona njerëz. Ndërmjet tyre, një mori fëmijësh. Në këtë çast është më i nevojshëm se kurrë  angazhimi i të gjithëve për të mos u mjaftuar vetëm me deklarata, por për t’i bërë konkrete ndihmat ushqimore e për të krijuar kushtet, që të arrijnë në duart e popullsive të vuajtura. Zoti i mbajtët gjallë këta vëllezër e të gjithë ata, që përpiqen për t’i ndihmuar”.








All the contents on this site are copyrighted ©.