2017-02-27 14:15:00

Dom Gjergj Berisha në 15-të vjetorin e vdekjes


Komuniteti kishtar i famullisë së Shën Mihillit Kryengjëll, në fshatin Doblibare, në Gjakovë, me kremtimin e Meshës së dritës, përkujtoi famullitarin e parë, dom Gjergj Berishën, në 15-të vjetorin e kalimit në amshim, në shkurt të vitit 2002. Në kremtimin përkujtimor, kryesuar nga françeskani Atë Anton Nua, mori pjesë një numër mjaft i madh besimtarësh e njerëzish që e kanë njohur  e dashur dom Gjergj Berishën, një numër i madh i rinisë, familjarët e të ndjerit dhe bashkëpunëtorët e tij të ngushtë. Dom Gjergji edhe përkundër vështirësive që ka pasur, besimin në Zotin e ka pas të palëkundur e kujdesin ndaj të afërmin të pandryshueshëm! Mesha përkujtimore u organizua nga famullitari i ri i komunitetit të Shën Mihillit Kryengjëll, dom Albert Jaku, në bashkëpunim me Motrat rregulltare, që veprojnë në këtë komunitet.

Françeskan nga Gjakova, Atë Anton Nua, në pretkun e Meshës së rastit foli për figurën e Dom Gjergjit, punën e tij baritore, e posaçërisht për dëshminë fesë. Ai mes tjerash theksoi se "edhe Don Gjergji ynë se bashku me Shën Palin ka besuar e me jetë ka dëshmuar: 'Vërtet, për mua Krishti është jeta dhe vdekja është ftesë!" (Fil 1, 21).

Kujtimi i tij, i meshtarëve, rregulltarëve, rregulltareve, si dhe besimtarëve të mirë, që tashmë kanë kaluar në amshim, le të jetë farë e Ungjillit të Krishtit, në tokën pjellore të jetës dhe dëshmisë sonë të krishterë. Pushoftë në paqen e Zotit!" - përfundoi Atë Antoni.

Në përfundim të Meshës, Motrat rregulltare të këtij komuniteti dhe aktori Edi Uka, kishin përgatitur një dramë mbi ‘Thirrjet e shenjta’.

Difa Gashi, mbesa e Dom Gjergj Berishës, tha: "Vërtet, daja Dom Gjergj, ka bërë shumë për famullinë e Doblibares, por më 20 shkurt të këtij viti, u binda nga organizim, pjesëmarrja e mikpritja e famullitarit aktual Don Albert Jakaj e Motrave rregulltare, që shërbejnë në komunitetin kishtar të Doblibare-s, e pash se ky popull e ka merituar një meshtar siç ishte daja dom Gjergj! Faleminderit të gjithëve! E dom Gjergji pushoftë në paqe!" - tha Difa Gashi. “Famullisë së Doblibarës, priftërinjve dhe motrave rregulltare, ju lumtë për organizimin,  ju falënderojmë shumë për mikpritjen që keni bërë duke e mbajtur të gjallë kujtimin dhe veprat e dajës Dom Gjergj. Shpirti i tij pushoftë në paqen e Krishtit!”.

E vërtetë, është vepër e mire të kujtohet Meshtarët që kanë kaluar në amshim, për shërbimin e tyre të çmueshëm shpirtëror, njerëzor, shoqëror, kulturor e kombëtar, gjithnjë sipas binomit "Për Fe e Atdhe". 

Njoftimi nga famullitari dom Albert Jaku








All the contents on this site are copyrighted ©.