2017-02-26 18:00:00

Papa vizitoi kishën anglikane në Romë, ku u prit me ngrohtësi


Sot pasdite, Papa Françesku shkoi për vizitë, për herë të parë në histori, në kishën anglikane të Gjithë Shenjtorëve në Romë. Është ngjarje historike për marrëdhëniet ndërmjet dy Kishave. Shën Gjon Pali II pati vizituar katedralen e Kanterbërit, Papa Benedikti XVI, abacinë e Uestminsterit, por është vërtet hera e parë që një papë viziton një famulli të zakonshme anglikane. Ati i Shenjtë mori pjesë në Mbrëmësoren anglikane, gjatë së cilës u bekua ikona e Krishtit Shëlbues. Ai mbajti predikimin dhe iu përgjigj pyetjeve.

Vizita e sotme shënoi 200-vjetorin e kremtimeve për Gjithë Shenjtorët, që filluan me një grup të vogël besimtarësh, të cilët mbajtën liturgjinë e parë të Kishës së Anglisë, më 27 tetor 1816. Kisha aktuale, pranë shkallës së famshme të Sheshit të Spanjës, u ndërtua gjysëm shekulli më vonë, sipas projektit të njërit prej arkitektëve më të famshëm britanikë të epokës viktoriane, George Edmund Street. 

         “Papa – nënvizoi në televizionin katolik TV2000, ipeshkvi anglikan ndihmës i Kongregatave të Evropës, David Hamid – u takua me njerëz të bashkësisë sonë, që jetojnë e punojnë në Romë dhe bëjnë pjesë në bashkësinë anglikane. Vizitë normale në një famulli normale. Vizitë, e cila e bën të dukshëm udhëtimin e gjatë, që kemi bërë në 50 vjetët e fundit. Kjo rrugë bëri të mundur edhe ardhjen e një Pape në një kishë anglikane. Françesku u prit me ngrohtësi e përzemërsi të madhe”.

         Gjatë vizitës së Papës, u lidh edhe një binjakëzim ndërmjet bashkësisë anglikane të Gjithë Shenjtorëve dhe famullisë katolike të Gjithë Shenjtorëve në Romë. Ideja është të punohet së bashku në shërbim të më të varfërve. Marrëdhëniet kanë filluar që më parë. Çdo të premte, vullnetarë nga të dyja kishat u shërbejnë darkën të pastrehëve në stacionin hekurudhor Ostiense në kryeqytetin italian. Kujtojmë se famullia katolike e Gjithë Shenjtorëve është e njohur për impenjimin e saj në favor të të varfërve. Në vitet ’90, ajo ka qenë pikë referimi për shqiptarët e Romës, të cilët mblidheshin çdo të dielë për meshën në gjuhën shqipe, por edhe për të ndenjur së bashku e për të gjetur zgjidhje për problemet e tyre të emigracionit. Tashmë, ata mblidhen në kishën e Shën Gjonit të Malvës në Trastevere, caktuar si vend kulti për besimtarët katolikë shqiptarë nga Konferenca Ipeshkvnore Italiane.








All the contents on this site are copyrighted ©.