Lutje: frymëzuar nga Ungjilli i së dielës së 8-të “A”
S’është kush që na e kalon
o Zoti im,
kur këmbët i dredhim
kah shtegu i shpëtimit.
Ne, që e lëmë hapur
portën kah udha e ikjes
e dalja e sigurisë!
E këtë e quajmë urti!
Se, Zot ti e di
e e dinë të gjithë
se në këtë botë të sertë
mbyllur në vetvete:
“Gjithçka mund të ndodhë!”.
Vërtet zemrën na e ngroh
kjo - feja jonë,
dhe entuziazmi,
që Fjalët e Tua
ngjallin në çdo shpirt,
po që pastaj aspak nuk na pengojnë
për t’i përbuzur paktet
që di t’i lidhë
pa turp edhe pa frikë
ndërgjegjja jonë.
Pakte, që porsi korbat
na fluturojnë në shpirt,
për t’i shtënë në dorë
të mirat e kësaj bote,
që duket se na mbrojnë,
në rast nevoje.
Po ari edhe skeptri
Rreziqe mund të jenë
n’shtegtim – Ti na e kujton
edhe na porosit:
“Nëse do të nisesh për udhë,
shtegto më mirë si lypës!”.
Ti pabesive tona
maskën krejtësisht ua çjerr
e pa shumë fjalë.
na vë para vendimit
të qartë, pa asnjë mëdyshje:
O Zotin, o paranë!
Besimin pa kushte në Ungjill,
o taksën e paguar
për shpresa të kota!
Ti s’na lejon, o Zot,
të ndezim dy qirinj
njëherësh në një altar:
një qiri dylli për Ty,
e ‘i tjetër, dhjami,
për “hijet krejt të zeza”
që hap për hap
na ndjekin pas:
hijen e pasurisë
e hijen e pushtetit.
Po ti i quan me emër
ankthet tona pa fund!
Gulçet krejt pa dobi,
që prej një hurdhe
të vetme na gurrojnë,
e na përmbytin;
prej fesë sonë të paktë,
e prej theqafjes sonë
për pasuri,
për të gëzuar të gjitha të mirat
që t’i jep bota;
pas tyre për ta fshehur,
shpirtin njerëzor,
që mbetet bosh pa Ty
e në kohë humbet,
kur rri larg Teje, o Zot.
Jeta që shkon drejt teje
s’i trembet vdekjes,
se lind përsëri atje,
ku ndahet dita nga nata!
All the contents on this site are copyrighted ©. |