2017-02-24 13:44:00

FAO: të ndryshohet konsumi, për të ushqyer 10 miliard njerëz më 2050


“E ardhmja e ushqimit dhe e bujqësisë: prirje e sfida”: ky është titulli i Raportit të ri të FAO-s (Organizata e OKB-së për Ushqimin dhe Bujqësinë), në të cilin shtrohet për zgjidhje çështja e ushqimit të popullsisë së botës, pa shkatërruar planetin. Intervistuam ekonomistin e FAO-s, Lorenzo Giovanni Bellù, autor kryesor i studimit:

 FAO vlerëson se prodhimi bujqësor duhet të rritet me rreth 50%, sepse rritja e të ardhurave do ta shtojë konsumin e proteinave nga mishi, qumështi e vezët, megjithëse kjo varet edhe nga popullsia. Në vitin 2050 duhet të jemi rreth 10 miliard vetë, gati 2 miliard e gjysëm më shumë se tani.

Raporti vë në dukje nevojën për të prodhuar më shumë, por kjo nuk duhet të shkatërrojë ambientin. E si mund të pajtohen këto kërkesa?

Këtu fillojnë sfidat e vërteta. Ndërsa nga njëra anë, themi: “Të përpiqemi ta ulim kërkesën” - sidomos në vendet e pasura, që kanë dieta me shumë proteina – e të zhvendosemi drejt dietave më të përshtatshme për ambientin e më të shëndetshme për njeriun, nga ana tjetër, duhet të reduktojmë shpërdorimet e ushqimeve si në konsum, ashtu edhe në prodhim. Por, nuk mund ta mohojmë se 2 miliard e gjysëm njerëz më shumë do të kërkojnë më shumë prodhime bujqësore. Gjithashtu, duhet të përballojmë problemin e energjisë. Ndryshimet e klimës do të na detyrojnë ta pakësojmë përdorimin e energjive fosile dhe të rrisim prodhimin e energjive alternative, përfshi këtu edhe bioenergjitë, pavarësisht se e dimë që burimet natyrore, pra, toka dhe uji, nuk janë pa fund. Prandaj, duhet ndryshuar mënyra e prodhimit dhe e konsumit. Në bujqësi, po eksperimentohen disa teknika agro-ekologjie, por ato duhet të bëhen të zbatueshme e t'u jepen të gjithëve për përdorim. 








All the contents on this site are copyrighted ©.