2017-02-24 15:15:00

Egjipt: vriten dy të krishterë. Is: koptët, “preja jonë më e dashur”


Frikë e tmerr në Egjipt. Dy të krishterë të tjerë u vranë në Gadishullin e Sinait nga ekstremistët e Shtetit të vetëshpallur Islamik. Xhihadistët patën kërcënuar, në një video të kohëve të fundit, se donin t’i sulmonin koptët. Dhe i sulmuan. Viktimat janë një baba me të birin, 65 e 45 vjeç. Quheshin Medhat e Saad. U mbytën në Veri-Lindje të Gadishullit të Sinait, që kontrollohet nga integralistët islamikë (Is). Trupi i djalit u gjet i djegur, ndoshta për së gjalli. Dy vrasjet pasojnë kërcënimet e bëra nga xhihadistët për t’i goditur përsëri të krishterët egjiptianë, në një video plot me përçartje, në të cilën pohonin: “Koptët janë preja jonë më e dashur”. Që nga fillimi i vitit, në Egjipt u vranë 5 të krishterë. Dhjetorin e kaluar  vdiqën 27 vetë, në atentatin kundër një kishe në Kairo.

“Është vetëm fillimi i persekutimit kundër të pafeve” - pohojnë islamistët. Por nën goditjet e tyre po bien edhe myslimanët e moderuar.

Kujtojmë se koptët, bashkësia më e madhe e krishterë e Lindjes së Mesme, që përbëjnë 10% të popullsisë egjiptiane, kërkojnë më shumë mbrojtje nga ana e autoriteteve. Is i pati goditur koptët edhe në shkurt të vitit 2015, kur preu në fyt, në bregdetin e Sirtes, në Libi, 20 egjiptianë të besimit të krishterë, që vdiqën duke brohoritur emrin e shenjtë të Krishtit e duke i falur vrasësit e tyre. 








All the contents on this site are copyrighted ©.