2017-02-22 18:30:00

Takimi i Atit të Shenjtë me familjarët e viktimave të Dakës


Para audiencës së përgjithshme, Papa Françesku u takua, në një dhomë pranë Sallës Pali VI, me familjarët e 9 viktimave italiane të atentatit të Dakës në Bangladesh, më 1 korrikun e vitit të kaluar. Grupi, rreth 30 vetë, shoqërohej nga ipeshkvi i Alife-Caiazzo-s, imzot Valentino di Cerbo. Kujtojmë se në atë atentat të kryer nga 5 të rinj xhihadistë, gjetën vdekjen 29 vetë. Familjarët e tyre po i përgjigjen dhunës me nisma solidariteti e paqeje. Ndër to, edhe ndërtimi i një kishe në Bangladesh, në bashkëpunim me Fondacionin papnor “Ndihmë për Kishën që vuan”. Ati i Shenjtë i falenderoi për mënyrën e reagimit para humbjes së të dashurve. “Është e lehtë të kalosh nga dashuria në urrejtje – theksoi ai – por e kundërta është e vështirë”. “Më dhatë një mësim të mirë”, u tha, duke i falenderuar për dëshminë e tyre.

Njëra nga familjet – familja Monti – humbi të bijën, Simonën, e cila, në kohën e atentatit të Dakës, ishte shtatzanë. E megjithatë, familjarët reaguan duke mbledhur fonde për ndërtimin e një kishe të vogël në Bangladesh. Të dëgjojmë drejtorin e Fondacionit “Ndihmë për Kishën që vuan”, Alessandro Monteduro:

Dua të saktësoj se familja Monti nuk humbi vetëm vajzën, por edhe nipin, sepse Simona ishte në pritje për të nxjerrë në dritë një fëmijë. Në ditët pas masakrës, ndjenë nevojën për të dhënë një mesazh shprese. E atë shpresë menduan ta gjenin duke i kërkuar krejt bashkësisë së Magliano Sabinës të mendonin për ata të krishterë, për atë pakicë të persekutuar në Bangladesh. Atëherë, shumën e mbledhur gjatë funeralit për Simonën vendosën ta përdorin për ndërtimin e një kishe në fshatin e vogël të Harintanës, 150 km larg nga Daka. Në këtë fshat ka vetëm 125 katolikë, por asnjë vend kulti, përveçse një kishëze të vogël me dru, që shkatërrohet sa herë kalon ndonjë uragan, ose tajfun. Kisha e re do t’i kushtohet shën Mikelit, sepse ky ishte emri, që Simona do t’i vinte djalit të saj.








All the contents on this site are copyrighted ©.