2017-02-22 14:46:00

Shevchuk: konflikti në Ukrainë të mos mbetet i padukshëm. Armëpushimi nuk funksionon


Çështja humanitare në Ukrainë është emergjencë “në zemër” të Kontinentit evropian, që nuk mund e nuk duhet të mbetet e padukshme”. Kur konflikti në zonat lindore të vendit ndërmjet qeveritarëve e separatistëve filorusë po hyn në vitin e katërt, me një bilanc zyrtar prej 10 mijë të vdekurish, kryeipeshkvi i madh i Kiev-Halyč, Fortlumturia e Tij  Sviatoslav Shevchuk, në emër të Kishës greko-katolike ukrainase, i bën thirrje bashkësisë ndërkombëtare t’i japë fund dhunës. Shenjat tregojnë se armëpushimi, që nisi në fillim të javës, nuk po respektohet në terren,  ndërsa OSBE-ja denoncon se nuk po respektohen marrëveshjet për tërheqjen e armëve të rënda, parashikuar në Minsk. Ta dëgjojmë Fortlumturinë e Tij  Sviatoslav Shevchuk, këto ditë në Romë:

Përgjigje: - Orët e fundit morëm lajme, që flasin për vijimin e ndeshjeve. Ndalimi i zjarrit, shpallur të hënën e kaluar, nuk po funksionon. Ndeshja ushtarake vijon që prej tri vjetësh e armët e rënda shkelin përsëri mbi trojet e Ukrainës, gjë që po shkakton vuajtje të papërshkrueshme për popullsinë.

Pyetje: - Cilat janë rastet më urgjente?

Përgjigje: - Janë tre grupe njerëzish, që duhet të jenë në qendër të vëmendjes së bashkësisë ndërkombëtare: njerëzit e zënë në kurth në të ashtuquajturën “zona e hirtë”, ndërmjet trojeve të pushtuara e atyre të kontrolluara nga qeveria e Ukrainës: pleq, nëna e fëmijë të vegjël. Ne, si Kishë, po bëjmë ç’është e mundur për të arritur tek këta njerëz, ku organizmat shtetërore  nuk arrijnë. Kategoria e dytë janë ata, që kanë mbetur në territorin e pushtuar; e treta, të shpërngulurit, që vërshuan në pjesën qendro-perëndimore të trojeve të Ukrainës. Karitasi kombëtar është i vetmi mjet, që shkon t’i kërkojë këta njerëz, për t’u çuar ndihmat e domosdoshme, që të mbeten gjallë.  Ndërmjet tyre, një milion fëmijë. Prej këndej, e ndjej për detyrë t’ia drejtoj  këtë thirrje bashkësisë ndërkombëtare, që të bëjë ç’është e mundur për ta ndaluar zjarrin e armëve e për ta frenuar këtë dhunë, që duhet ta shikojnë të gjithë!








All the contents on this site are copyrighted ©.