2017-02-22 15:40:00

Raporti i Amnesty: bota, viktimë e retorikës së urrejtjes


“Bota e vitit 2016 është më e zymtë dhe më e paqëndrueshme”. Kështu shkruan Sekretari i Përgjithshëm i Amnesty International, Salil Shetty, në Raportin 2016 mbi gjendjen e të drejtave të njeriut. Dokumenti vë në dukje një realitet shqetësues: paaftësinë e krerëve të globit të gjejnë zgjidhje për krizën e refugjatëve, përdorimin e një gjuhe politike mbushur me urrejtje, shtypjen brutale të disidencës, persekutimin kundër të krishterëve dhe pakicave në përgjithësi. Raporti u paraqit dje në Romë.

Mbizotëron retorika "ne kundër tyre"

         Është fotografia e dhimbshme e një bote, që kthehet mbrapa dhe braktis shumë nga fitoret në fushën e të drejtave të njeriut, arritur me mundime të mëdha. Kryetari i Amnesty International për Italinë, Antonio Marchesi, i përmblodhi kështu dritëhijet e raportit, që u referohet statistikave të vitit të kaluar:

         “Mbizotërojnë qartas hijet, sidomos, për shkak të kësaj retorike ‘ne kundër tyre’, e cila çon në mohimin e të drejtave për kategori të tëra njerëzish”.

Rritja e pabarazisë ekonomike ka sjellë humbjen e kontrollit dhe paqëndrueshmërinë

         Familja njerëzore është në rrezik serioz. Në mëse 600 faqe, që përshkojnë të pesë kontinentet, Raporti kujton, ndër të tjera, shkatërrimin e Halebit, përfshirë spitalet; 75 mijë refugjatët e mbërthyer në shkretëtirën ndërmjet Sirisë e Jordanisë; përdorimin e armëve kimike në Darfur; britmën e dhimbjes së Jemenit, të Sudanit të Jugut, por edhe shtypjen e disidencës në Etiopi, Turqi e në Korenë e Veriut. Flet drejtori i përgjithshëm i Amnesty International në Itali, Gianni Rufini:

         “Rritja e pabarazisë ekonomike ka sjellë humbjen e kontrollit dhe paqëndrueshmërinë, që shërben si sfond për fenomene të tjera të rënda, si ndryshimi i klimës, që dëmton së pari, më të brishtët, më të varfërit e më të dobtit. Le të mendojmë për parrulla si ‘Ne para tyre’, ‘Amerika së pari’, ‘Më parë italianët, pastaj emigrantët’…”.

Kriza e refugjatëve

         Sigurisht, në qendër të veprimtarisë së Amnesty International është kriza e refugjatëve, e cila mbart jo pak shqetësime, siç kujtoi sërish z. Marchesi:

         “Ne regjistrojmë raste kthimesh të detyruara në vendet, ku njerëzit rrezikojnë dhunimin e rëndë të të drejtave të tyre. Kjo ndodh në 36 vende e shifra është mjaft e lartë. Krijimi i të ashtuquajturave ‘hot spot’ – vende ku azilkërkuesit qëndrojnë në pritje të miratimit të kërkesës – me vendim të nivelit evropian, nuk garanton të drejtën e njerëzve që kërkesa e tyre për mbrojtje ndërkombëtare apo për strehim politik, të shqyrtohet si duhet”.

Persekutimet fetare shtohen

         Kësaj i shtohen marrëveshjet e nënshkruara me regjime jo të lira, që sigurojnë mbylljen e rrugëve për emigrantët. Nuk është vetëm Evropa, por nuk priteshin prej kontinentit të vjetër kaq shumë dhunime të të drejtave të njeriut e kaq paaftësi për rregullimin e flukseve të emigracionit. Përsa i përket persekutimeve fetare, z. Rufini theksoi:

         “Ka të krishterë të persekutuar në shumë zona të Lindjes së Mesme. Por, le të përmendim edhe Rohingya, që janë myslimanë të persekutuar nga budistët”.

         Një kuadër jashtëzakonisht negativ, pra, mbi të cilin, siç shpjeguan dje relatorët, rëndon gjuha e urrejtjes dhe e ksenofobisë, përdorur në fushatat zgjedhore. Gjithsesi, ndërmjet hijeve, duket edhe drita e atyre, që kanë guximin të përballojnë sfida e kërcënime, duke mbrojtur, me sakrifica, të drejtat e njeriut. Gjatë vitit 2016, për këtë arsye, janë vrarë njerëz në 22 vende të botës.








All the contents on this site are copyrighted ©.