2017-02-22 14:25:00

Ipeshkvi i Athinës: “Do të na ndihmojnë pasi të na vrasin!”


Akoma e paralizuar Greqia, pas dështimit të mbledhjes së Eurogrupit, para dy ditësh. Nuk u arrit asnjë marrëveshje me Fondin Monetar Ndërkombëtar për një paketë të re me ndihma për Athinën, e cila, brenda verës, duhet të mbledhë fonde për të paguar rrogat, pensionet e shërbimet. Evropa kërkon reforma, jo dhe aq të shtrënguara tashmë, por janë fjalë të kota para popullsisë, që mezi arrin në fund të muajit. “Shteti nuk ka më para e po kthehemi të gjithë në lypës. Duhen ndryshuar politikat”: kjo është thirrja e fuqishme e imzot Sevastianos Rossolatos, kryeipeshkëv i katolikëve të Athinës, në mikrofonin e Radio Vatikanit:

         Shteti u detyrohet shuma të mëdha privatëve dhe ndërmarrjeve e nuk mund t’ua paguajë: u detyrohet miliarda. Ekonomia nuk ecën kështu, tregtia nuk mund të shkojë përpara. Dyqanet mbyllen vazhdimisht. Shteti po na e pi gjakun e ne s’dimë ç’të bëjmë. Sigurisht, duhen reforma, por po bindemi se më parë do të na lënë të vdesim, pastaj do t’i bëjnë reformat.

         Muajt e fundit, janë shkurtuar edhe pensionet…

         Shumë familje, shumë gjyshër, ndihmojnë fëmijët e papunë me pensionet e tyre, ndërsa këto vijojnë të ulen. Rrogat pakësohen, ndërsa sigurimet shoqërore vetëm shtohen. Është çmenduri! Kur dal nga shtëpia, më duhet gjithnjë të marr me vete para, sepse, sigurisht, do të takoj të pastrehë rrugës e s’mund ta kthej kokën nga ana tjetër. Nga vendi kanë ikur gati 450 mijë të rinj. Po përgatisim shkencëtarë dhe i lemë të ikin për të zhvilluar ekonominë e vendeve të tjera.

         Ju si Konferencë Ipeshkvnore e Kisha në përgjithësi, u qëndron pranë njerëzve, apo jo?

         U qëndrojmë afër vetëm sepse po na ndihmojnë edhe neve. Karitasi i Greqisë nuk ka më fonde të vetat. Edhe ipeshkvijtë dhe Konferenca Ipeshknore ndodhen në vështirësi të mëdha në përballimin e nevojave baritore, në mbështetjen e klerit… Po na ndihmojnë sidomos Konferencat Ipeshkvnore të vendeve më të varfëra. Ky është kulmi: vetëm kush është në vështirësi e kupton tjetrin, që heq keq. Jemi bërë lypsarë edhe ne si ipeshkvij dhe i kemi duart e lidhura, s’mund të bëjmë asgjë. Evropa na lë të vdesim më parë, pastaj do të vijë për të mëkëmbur ekonominë. Për kë? Për të vdekurit? Ka njerëz, që kishin ndërmarrje, dyqane, që jetonin shumë mirë, ndërsa tani janë pa shtëpi e flenë në rrugë, pa pasur asnjë faj. Janë bërë hedhurinat e shoqërisë, siç thotë Papa, por s’kanë faj, sepse ka ndryshuar ekonomia e s’mund t’ua vësh fajin njerëzve.

         Sipas jush, cilat janë reformat, që duhen zbatuar në vend?

         Ne nuk jemi ekonomistë, por mendoj se politika e uljes së shpenzimeve është pa rrugëdalje. Duhet rritur prodhimi, tregtia. Të shpresojmë se gjendja do të ndryshojë, por kur vijnë tek ne, njerëzit nuk kërkojnë zgjidhje politike, kërkojnë ndihmë. Ne si Kishë nuk kemi receta për ekonominë. Politikanët përpiqen të mbështesin monedhën – e ashtuquajtura politikë monetare – por nuk mendojnë për njerëzit. Ama janë njerëzit ata, që e zhvillojnë ekonominë!








All the contents on this site are copyrighted ©.