2017-02-21 14:32:00

Selia e Shenjtë: të ndalet trafiku global i njerëzve


Është urgjente dhe detyrë t’i jepet fund trafikut të njerëzve dhe të gjitha formave të shfrytëzimit, sidomos, prostitucionit, punës së detyruar, tregtisë së organeve dhe përdorimit të fëmijëve në internet e në luftë. Kështu e ngriti zërin kryeipeshkvi Ivan Jurkoviç, Vëzhgues i Përhershëm i Selisë së Shenjtë pranë Kombeve të Bashkuara në Gjenevë, gjatë Konferencës së 22-të Ndërkombëtare me temë “Të përkrahim mbrojtjen e refugjatëve. Të drejtat njerëzore dhe ligjet humanitare: roli i Gjenevës në veprimtarinë humanitare ndërkombëtare”.

Trafikantët të ndiqen me ligje kombëtare e ndërkombëtare

Duke kujtuar dramën e rreth 244 milion emigrantëve në botë, shpesh, në ikje nga lufta dhe persekutimi, si edhe ekspozimin e tyre ndaj tregut global të klandestinëve, prelati i kërkoi bashkësisë ndërkombëtare t’i ndjekë penalisht trafikantët, mbi bazën e ligjeve të qarta kombëtare dhe ndërkombëtare. Ndër to, sugjeroi konfiskimin e fitimeve nga veprimtaritë e paligjshme dhe dëmshpërblimin e viktimave me fondet e përftuara në këtë mënyrë.

Biznes prej 32 miliard dollarësh

Shpesh, sidomos gratë e fëmijët, denoncoi Vëzhguesi i Selisë së Shenjtë, shfrytëzohen seksualisht, ose detyrohen të bëjnë punë të fshehur në stabilimente të paligjshme, në fabrika, shtëpi, ose ndërmarrje bujqësore klandestine. Biznesi i trafikut të njerëzve qarkullon rreth 32 miliard dollarë dhe është në vendin e tretë, pas atij të armëve e të drogës. Imzot Jurkoviç vuri në dukje se, megjithëse ekzistojnë ligje ndërkombëtare të pranuara, interpretimi i tyre në nivelin kombëtar e rajonal, i lë hapësirë kriminalitetit. Ai sugjeroi bashkëpunimin ndërmjet intelektualëve, krerëve moralë dhe fetarë të popujve, si edhe rrjeteve shoqërore globale, për parandalimin e trafikut të njerëzve dhe për integrimin e viktimave në shoqëri. Kisha Katolike, kujtoi imzot Jurkoviç, ua kushton pikërisht viktimave Ditën Botërore të 8 shkurtit, në përkujtimin liturgjik të shën Jozefina Bakitës.








All the contents on this site are copyrighted ©.