2017-02-21 16:05:00

Papa për emigrantët: është detyrë morale t’i presim e t’i mbrojmë


“Së bashku me të drejtën për të emigruar, duhet të garantohet edhe e drejta për të mos emigruar”, duke krijuar në atdhe mundësitë për një jetë dinjitoze. Për ata, që ikin nga luftrat e konfliktet, “duhen hapur kanale humanitare të sigurta”. Papa Françesku preku të gjitha problemet më të mprehta të emigracionit sot paradite, kur priti në Vatikan, pjesëmarrësit e Forumit IV Ndërkombëtar “Emigracioni dhe paqja”, në vijim në Romë. Forumi, shpjegoi në përshëndetjen e tij, imzot Silvano Maria Tomasi i Këshillit Papnor për Drejtësinë dhe Paqen, mbledh çdo dy vjet protagonistë të ndryshëm shoqërorë e politikë, në kërkim të rrugëve të reja për humanizimin e fenomenit të emigracionit e për pakësimin e vuajtjeve të emigrantëve. Takimi është organizuar nga Dikasteri vatikanas për Zhvillimin Njerëzor të Gjithanshëm, nga Rrjeti Ndërkombëtar i Skalabrinianëve për Emigracionin dhe nga Fondacioni Konrad Adenauer. Ati i Shenjtë dëgjoi edhe disa dëshmi të emigrantëve.

Emigrantët janë vëllezër për t’u mirëpritur

Në tregimin e një gruaje eritrease, mbërritur në Itali me familjen, duke përshkuar shkretëtirën dhe detin, kondensohet e gjithë drama e njerëzve, që detyrohen të ikin nga toka e tyre, për shkak të konflikteve, të dhunës e të varfërisë. Emigracionet kanë ekzistuar gjithnjë, por, nënvizoi Papa, tani njerëzit janë të detyruar të emigrojnë, deshën s’deshën. Kjo i shton sfidat, që duhet të zgjidhë politika, shoqëria civile dhe Kisha. Ati i Shenjtë përcaktoi katër etapa, në të cilat përgjigjja duhet të jetë e përbashkët: pritja, mbrojtja, promovimi dhe integrimi i emigrantëve. Shpesh, theksoi, na nxisin të mos e shohim të afërmin si vëlla për t’u mirëpritur:

 “Para kësaj prirjeje për refuzim, e cila, në analizë të fundit, rrënjoset në egoizëm dhe përforcohet nga demagogjitë populiste, bëhet urgjent ndryshimi i sjelljes, për ta kapërcyer indiferencën dhe për të vënë para frikës qëndrimin bujar të mikpritjes ndaj atyre, që na trokasin në derë. Për ata, që ikin nga luftra e persekutime të tmerrshme, shpesh, ngërthyer në spiralet e organizatave kriminale të paskrupullta, duhet të hapen kanale humanitare të arritshme e të sigurta”.

Është e nevojshme të mbrohen emigrantët

 Por nuk mjafton të presim, kaloi Papa në etapën e dytë të qëndrimit ndaj emigrantëve. Është e nevojshme të mbrohen emigrantët, të cilët mund të bien lehtë pre e shfrytëzimit dhe e dhunës:

“Mbrojtja e këtyre vëllezërve dhe motrave është detyrë morale, për realizimin e së cilës duhen krijuar mjete juridike, ndërkombëtare e kombëtare, të qarta e të përshtatshme; duhen marrë vendime politike të drejta e largpamëse; duhen parapëlqyer proceseve konstruktive, ndoshta më të ngadalta në krahasim me konsensusin e menjëhershëm politik; nevojiten programe tempestive dhe humanizuese në luftën kundër ‘trafikantëve të mishit njerëzor’, që fitojnë mbi fatkeqësitë e të tjerëve; duhen koordinuar përpjekjet e të gjithë protagonistëve, ndër të cilët – të jeni të sigurtë – do të jetë gjithmonë edhe Kisha”.

Promovimi njerëzor i emigrantëve dhe i familjeve të tyre

Zhvillimi, vijoi Papa Françesku, është e drejtë e pamohueshme për çdo njeri. Edhe për këtë, është i nevojshëm koordinimi i veprimtarive:

“Promovimi njerëzor i emigrantëve dhe i familjeve të tyre fillon nga bashkësia e origjinës, aty, ku duhet të garantohet, së bashku me të drejtën për të emigruar, edhe e drejta për të mos emigruar, pra, e drejta për të gjetur në atdhe kushtet, të cilat mundësojnë një jetë dinjitoze. Për këtë qëllim, duhen inkurajuar përpjekjet, që çojnë në zbatimin e programeve ndërkombëtare të palidhura me interesa të njëanshme dhe në atë zhvillim transkombëtar, ku emigrantët përfshihen si protagonistë”.

Integrimi nuk është asimilim

Përsa i përket integrimit, tema e katërt e programit të Papës për emigracionin, Ati i Shenjtë nënvizoi se ai nuk është as asimilim, as inkorporim, por një proces i dyanshëm, që bazohet mbi njohjen e ndërsjelltë të pasurisë kulturore të tjetrit. Gjithashtu, duhet të mbajmë tjetër qëndrim ndaj atyre, që detyrohen të ikin nga atdheu, nënvizoi Papa, duke i quajtur të padrejta pabarazitë ekonomike në botë e duke kërkuar që të gjithë të mund të përfitojnë në mënyrë të barabartë nga frytet e tokës:

“Nuk është e mundur që një grup individësh të kontrollojë pasuritë e gjysmës së botës. Nuk është e mundur që njerëz e popuj të tërë të kenë të drejtë vetëm të mbledhin thërrimet… Të vendosësh drejtësinë do të thotë edhe ta pajtosh historinë me globalizimin e tanishëm, pa zbatuar logjika shfrytëzimi të njerëzve e të territoreve, që i përgjigjen përdorimit më cinik të mundshëm të tregut, për të rritur mirëqënien e pak vetëve”.

Edhe emigranti i paligjshëm ka dinjitetin e vet

Së fundi, Papa Françesku kujtoi centralitetin e njeriut, pavarësisht nga kushtet në të cilat ndodhet. Edhe kur është emigrant i paligjshëm ka gjithnjë dinjitetin e vet. E për Atin e Shenjtë duhet rizbuluar vlera e vëllazërimit. Sidomos për të krishterët, mikpritja për të huajin është mikpritje për Jezu Krishtin:

“Prandaj, ‘nevojitet ndryshimi i qëndrimit ndaj emigrantëve dhe refugjatëve, kalimi nga një qëndrim i mbyllur, plot frikë, nga çinteresimi e mënjanimi – që i përket kulturës së hedhurinave – në një qëndrim, që ka në bazë ‘kulturën e takimit’, e vetmja, e aftë të ndërtojë një botë më të drejtë e më vëllazërore, një botë më të mirë”.








All the contents on this site are copyrighted ©.