2017-02-20 17:54:00

Shëna Ndou: në Padovë u kremtua Festa e Gjuhës


Dje, në Padovë, u kremtua festa tradicionale  e  zhvendosjes së relikeve të Shëna Ndout, që populli e quan “Festa e Gjuhës”. Paradite u kremtua Mesha pontifikale, kryesuar nga imzot Giovanni Tonucci, delegat papnor për Bazilikën. Në orën 17.00, Mesha solemne, pasuar nga procesioni me Reliken e Gjuhës së Shenjtit të Mrekullive. Po cila është zanafilla e festës? Ia kërkuam përgjigjen atë Oliviero Svanerës, rektor i Bazilikës së Shëna Ndout, në Padovë:

Përgjigje: - Festa na kujton një çast historik, atë kur reliket e Shenjtit u zhvendosën nga Kapela, ku qenë vendosur në fillim, në Bazilikën e re. Këtë zhvendosje e bëri eprori i përgjithshëm i asokohshëm i Urdhërit Françeskan, Shën Bonaventura. Ishte viti 1265. E në këtë rast, Shën Bonaventura, i rrethuar nga njerëz të mrekulluar, pa se mes relikeve të Shenjtit, spikaste gjuha, që kishte mbetur krejt e freskët, si të ishte kallur atë ças në varr. Kjo ishte mrekulli, sepse dihet që gjuha duhet të ishte kalbur e para. Por mbi të gjitha, u pa si mrekulli, sepse çka kishte kumtuar Shenjti me atë gjuhë, sa ishte gjallë, bëhej shenjë, që tregonte se Zoti i kishte bekuar fjalët e Tij. Këtë pati theksuar Shën Bonaventura në ato çaste mrekullimi të përgjithshëm. Kështu gjuha mori një vlerë të madhe simbolike, duke u kujtuar të gjithëve fjalët, me të cilat Shëna Ndou i fillonte predikimet e tij: “Premto, o Zot, që gjuha ime të vërvitet si shigjetë, për të shpallur mrekullitë tua”. Është, pra, gjuhë, që foli gjithnjë për mrekullitë e dashurisë së Zotit. Fjala, që doli prej saj, i përngjet “Magnificat”, himnit me të cilën Zoja e Bekuar madhëroi Zotin. Prej këndej, fjala, në gojën e Shenjtit, u bë mesazh, e mesazh, edhe gjuha e tij e paprishur, festa e së cilës u kremtua dje në Padovë.








All the contents on this site are copyrighted ©.