Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Papa Françesku \ Audienca dhe Engjëlli i Tënzot

Papa: zemrat të kthehen kah paqja. Thirrje për Kongon, Pakistanin, Irakun

Papa në Engjëllin e Tënzot - AFP

19/02/2017 14:50

Zemrat e ngurtësuara nga urrejtja të kthehen kah paqja, në Afrikë, në Lindjen e Mesme, në Azi e në të katër anët e botës, ku njerëzit vuajnë për shkak të luftërave e të dhunës. Këto, fjalët e Papës gjatë lutjes së  Engjëllit të Tënzot, në Sheshin e Shën Pjetrit. Gjatë lutjes, Ati i Shenjtë i porositi besimtarët t’i përgjigjen gjithnjë së keqes me të mirë - sepse - kujtoi - shpagimi nuk çon kurrë në zgjidhjen e konflikteve, as në familje.

Ishin ftesë për të qenë artizanë të bashkimit e të vëllazërimit, fjalët e Papës në lutjen e sotme të Engjëllit të Tënzot. Bashkim në jetën e përditshme e në familje, me durim, dialog, falje. Mendimi i Papës Françesku u ndalua edhe tek popullsitë, që sot vuajnë për shkak të dhunës e të konflikteve, si në zonën e Kasai-t qendror në Republikën Demokratike të Kongos, prej nga arrijnë - kujtoi - lajme që flasin për ndeshje të ashpra. Papa ndjen dhembje të thellë për viktimat, posaçërisht për tragjedinë e fëmijëve të shumtë, të shkëputur brutalisht nga familjet e nga shkolla, për të rrokur pushkën e për t’u përdorur si ushtarë. I siguron të gjithë për afërsinë në lutje, duke kujtuar edhe personelin fetar e humanitar, që vepron në këtë zonë, të cilën Papa e quan “të vështirë”:

“I bëj thirrje urgjente ndërgjegjes dhe përgjegjësisë së autoriteteve kombëtare dhe atyre të bashkësisë ndërkombëtare, që të marrin vendimet e duhura e të menjëhershme për t’i ndihmuar këta vëllezër e motra tona. Lutemi për ta e për mbarë popullsitë që, edhe në anë të tjera të Kontinentit afrikan e të botës, vuajnë nga shkaku i dhunës e i luftës”.

Më pas, një mendim e një lutje për popullsitë e dashura të Pakistanit e të Irakut, të goditura rëndë, këto ditë, nga akte mizore terroriste:

“Lutemi për viktimat, për të plagosurit e për familjarët. E lutemi me gjithë shpirt që çdo zemër e bërë gur nga urrejtja të kthehet kah paqja, sipas vullnetit të Zotit”.

Papa reflektoi mbi “revolucionin” e krishterë, kumtuar nga Krishti, si e shpjegoi Ungjilli i sotëm i Mateut, duke treguar rrugën e drejtësisë së vërtetë. Drejtësi që realizohet përmes ligjit të dashurisë, i cili e kapërcen atë të shpagimit. Duke iu kundërvënë ligjit “sy për sy e dhëmb për dhëmb” - shpjegoi Françesku - Jezusi u kërkon dishepujve të vet të mos i përgjigjen së keqes me një të keqe tjetër, por gjithnjë me të mirë:

“Vetëm kështu copëtohet zinxhiri i së keqes: një e keqe sjell me vete një të keqe tjetër. Copëtohet ky zinxhir i së keqes e ndryshojnë vërtet edhe gjërat. E keqja është zbrazëti, zbrazëti e së mirës e një zbrazëti nuk mund të mbushet me një zbrazëti tjetër, por vetëm me një “plotni”, domethënë me të mirën. Shpagimi nuk çon kurrë në zgjidhjen e konflikteve”.

Të mos e pranosh dhunën - vijoi Papa - nuk do të thotë të mos i pranosh ose t’u kundërvihesh kërkesave të drejtësisë: dashuria e krishterë, që shprehet në mënyrë të veçantë përmes mëshirës, përfaqëson realizimin më të lartë të drejtësisë. Jezusi - vijoi - na mëson ta dallojmë plotësisht drejtësinë nga hakmarrja:

“Hakmarrja nuk është kurrë drejtësi. Drejtësia mund e duhet të kërkohet; është detyra jonë ta praktikojmë drejtësinë. Ndërsa është e ndaluar të marrim hak, ose të ndezim, në ndonjë farë mënyre, hakmarrjen, sepse nuk është tjetër, veçse shprehje e urrejtjes dhe e dhunës”.

Jezusi nuk dëshiron të propozojë një rend të ri civil. Propozon vetëm urdhërin e dashurisë për të afërmin, pra, edhe për armiqtë. E kjo nuk do të thotë miratim i së keqes së kryer nga armiku! Jo! Kjo është ftesë dhe perspektivë shumë më e lartë, shumë shpirtmadhe, ngaqë edhe armiku është njeri, i krijuar sipas shëmbëlltyrës së Zotit, edhe pse të errësuar nga sjellja e padenjë:

“Kur flasim për armiqtë, nuk duhet të na shkojë mendja tek njerëz që janë larg nesh, që ndryshojnë nga ne: flasim edhe për vetveten, sepse edhe ne mund të hyjmë në sherr me të afërmin, madje nganjëherë, edhe me familjarët. Sa armiqësi ka në familjet tona! Ta mendojmë mirë këtë. Armiq janë ata, që flasin keq për ne, që  shpifin e na bëjnë paudhësi. E kjo nuk është gjë që gëlltitet lehtë! Të gjithë këtyre njerëzve, të cilët na e trazojnë jetën, jemi të thirrur t’u përgjigjemi me të mirën, që ka edhe ajo strategjitë e veta, të frymëzuara nga dashuria”.

Duke iu lutur Virgjërës Mari të na ndihmojë ta ndjekim Jezusin në udhën e dinjitetit njerëzor, në përshëndetjet përfundimtare Papa kujtoi, ndërmjet tjerësh, studentët irlandezë të Armagh dhe Lëvizjen rinore guaneliane.

19/02/2017 14:50