Lutje me Ungjillin e së dielës: Një udhë është në këtë botë...
Një udhë është në këtë botë,
që duket krejt e sigurt...
Burra e gra prej shekujsh
njëri pas tjetrit
ecin e s’ndalen kurrë...
të bindur krejt se gjetën
udhën e drejtë..
Një udhë është, nëpër të cilën
njeriu ecën krejt pa menduar,
i joshur nga lidhje gjaku,
e gjithfarë lidhjesh tjera,
pas turmës gjithnjë në lëvizje...
Ecën
se ka gjithnjë nevojë
dikush t’ia mbrojë
emrin e të drejtat,
nderin e interesat.
Po ti, Jezus, atyre që dëshirojnë
të ecin si dishepuj
mbi gjurmën tënde,
rrugë tjetër u tregon!
Një rrugë të theptë,
më pak të shkelur,
plot prita e rreziqe,
ku njerëzit ecin
me një copë qiell në krah.
e shtegu u zdrit përpara
me copa drite në sy.
Ti na kërkon të ecim krejt pa armë
përballë të mbrapshtit
e ta durojmë pa fjalë
kur keqas na shkel nën thembër.
Ti s’do t’ia kthejmë
të keqen me të keqe,
dhunën me dhunë,
fyerjen me fyerje...
Përkundra, na fton ta duam,
atë që nuk na do
e na sulmon
me gjithfarë armësh.
Atë që zemrën
me ankth përplot na e mbush,
e në provë të rëndë
e vë durimin tonë.
Pse kështu, o Zoti im?
“Pse ndryshe nuk mund të jetë,
biri i vërtetë i Atit
plot me mirësi e mëshirë!”
- më flet zëri i Zotit në zemër.
All the contents on this site are copyrighted ©. |