2017-02-19 10:58:00

Lutje me Ungjillin e së dielës: "Duaje armikun tënd!"


Lutja me Ungjillin (Mateu 5,38-48) e se Dieles se 7-te gjate vitit kishtar "A"

Duhet ta dua, atë që më urren!

Ta fal kë më fyen,

ta përqafoj të padrejtin

e buzën në gaz ta vë,

kur tjetri më sh’plakon!

Tepër po më kërkon.

O Zoti im!

Kjo nuk mund të bëhet!

Unë s’mund ta bëj.

E as më mbushet mendja

se duhet bërë!

 

Ende s’e ke kuptuar

o njeri - thotë Zoti -

se nata nuk mundet me natë,

terri me terr?

Nata mundet me dritë,

e lufta fitohet me paqe.

Mendon se e pata lehtë

t’i fal kryqëzuesit?

E pra i fala!

Tani të takon ty

t’i falësh kryqëzuesit e tu,

nëse dëshiron

të këndosh me mua Alelujën

në Pashkët e mia.

 

Besoja se është e lehtë

O Zoti im të ec pas Teje!

Po qenka tepër vështirë,

pse jam njeri i brishtë,

me korp të ligësht.

Një gjë, veç, shpirtin

ma këndell e ma forcon:

e di se Ti je në mua

e unë në Ty

e se s’ka gjë të pamundur

për Ty, o Zoti im!

Ti botën krijon nga mosgjëja,

lulen e bën të çelë në shkretëtirë;

nën hijen tënde jeta lulëzon.

Nga zemra e shkëmbit

ti bën të gurrojë burimi.

Ngrohtësia e jetës,

prej gishtave të shpërthen,

e jetën prej vdekjes

e bën të bulojë!|

Amen!








All the contents on this site are copyrighted ©.