2017-02-18 17:43:00

Viti gjyqësor vatikanas: Burgimi i përjetshëm është dënim pa shpresë


Burgimi i përjetshëm është dënim pa shpresë. Këtë theksoi kardinali Parolin, sekretar i Shtetit të Vatikanit, gjatë Meshës, kremtuar sot paradite në Pallatin e Guvernatoratit, me rastin e përurimit të Vitit të 80-të gjyqësor të Gjykatës së Shtetit. Më pas, në Sallën e vjetër të Sinodit, relacioni i promotorit të drejtësisë, Gian Piero Milano.

Ishte një relacion prej mëse 40 faqesh, kushtuar sistemit gjyqësor të Vatikanit, në përditësim të vazhdueshëm, për të luftuar, me tolerancë zero, “riciklimin”, “financimin e terrorizmit”, dhe “çdo formë tjetër të kriminalitetit ekonomik”, duke favorizuar njëkohësisht praktika me transparencë absolute, në vijë me standartet botërore. Profesor Milano vuri theksin mbi reformat e nisura nga Papa Benedikti si dhe nga Papa Françesku.

Promotori i drejtësisë pohoi edhe se duhet vënë theksi mbi shfuqizimin e dënimit me burgim të përjetshëm, duke e zëvendësuar me 30 deri në 35 vjet heqje lirie, pikë qendrore e shërbesës së Papës Françesku, që e quan burgimin e përjetshëm:“dënim me vdekje të fshehur”.

E këtë e rikujtoi sot paradite edhe kardinali Parolin, në Meshën e kremtuar në Vatikan me rastin e Vitit gjyqësor, ndjekur nga i gjithë personeli i Gjykatave, duke nënvizuar:

“Dënimi me burgim të përjetshëm - shkruante që në vitin ’50 të shekullit të kaluar Francesco Carnelutti - është deklaratë, që tregon se shpirti i njeriut ka humbur përgjithmonë. Shpresa për të hyrë rishtas në shoqërinë njerëzore, për të rifituar pamjen e  njeriut të lirë, për të zënë përsëri vendin e tij në shoqëri, është oksigjen, që e mban gjallë të burgosurin. Që nga çasti kur hyn në burg, kjo është e vetmja arsye, për të cilën jeton. Heqja e saj është dënim çnjerëzor me vdekje”. 








All the contents on this site are copyrighted ©.