2017-02-16 13:58:00

Papa: Zoti na dhashtë hirin të themi: “Mbaroi lufta në botë”


Lufta fillon në zemrën e njeriut, prandaj të gjithë jemi përgjegjës për ruajtjen e paqes. Kështu tha Papa Françesku në meshën e mëngjesit, në Shtëpinë e Shën Martës, në Vatikan. Ati i Shenjtë vuri theksin mbi vuajtjen e shumë popujve të përfshirë në luftën e filluar nga të pushtetshmit e kësaj bote e nga trafikantët e armëve. Tregoi edhe si e priti lajmin e përfundimit të Luftës II Botërore kur ishte fëmijë.

Pëllumbi, ylberi dhe aleanca: tre imazhe nga Leximi i parë i liturgjisë së sotme, marrë nga Libri i Zanafillës, i shërbyen Papës për të folur mbi luftën e paqen. Noehu liron pëllumbin pas përmbytjes universale e ai kthehet me një degë ulliri në sqep. “Është shenja e asaj, që Zoti donte pas përmbytjes: paqe, që të gjithë njerëzit të jetonin në paqe”. Ylberi është i brishtë, vërejti Papa, sepse mjafton një re për ta fshehur e po kështu edhe pëllumbi. Ati i Shenjtë kujtoi episodin e pulëbardhës e të korbit, që sulmuan dy pëllumba të liruar së bashku me fëmijët e Veprimit Katolik, nga dritarja e Pallatit Apostolik, dy vjet më parë.

Njerëzit vdesin për luftrat e të pushtetshmëve e të trafikantëve të armëve

Pas përmbytjes universale, Zoti lidh besën me njeriun dhe vendos paqen, por, nënvizoi Papa, nuk është e lehtë ta ruajmë atë. Duhet punuar përditë për paqen, sepse, fatkeqësisht, brenda nesh ndodhet akoma ajo fara e mëkatit të rrjedhshëm, fryma e Kainit, që për shkak të zilisë, xhelozisë, lakmisë e dëshirës për sundim, shpall luftë. Megjithëse, gjithnjë në Leximin e parë, Zoti e bën krejt të qartë se do të kërkojë llogari për gjakun e derdhur, për çdo njeri, që humb jetën:

“Sot në botë derdhet gjak. Sot, bota është në luftë. Shumë vëllezër e motra vdesin, edhe të pafajshëm, sepse të mëdhenjtë, të fuqishmit, duan një copë tokë, duan më tepër pushtet, ose duan të fitojnë përmes trafikut të armëve. Por Fjala e Zotit është e qartë: ‘Unë do të kërkoj llogari për gjakun e jetës suaj. Do të kërkoj llogari prej të gjitha kafshëve; do të kërkoj llogari prej njeriut për jetën e njeriut, prej secilit gjakun e vëllait të vet’. Edhe neve, që na duket sikur jemi në paqe këtu, Zoti do të na kërkojë llogari për gjakun e vëllezërve e të motrave tona, që vuajnë nga lufta”.

Ta ruajmë paqen, shpallja e luftës fillon brenda nesh

 Por si duhet ta ruajmë paqen, pyeti Papa Françesku, duke nënvizuar se lutja e puna për paqen nuk janë formalitete. Lufta, vërejti me trishtim, fillon në zemrën e njeriut, fillon në shtëpi, në familje, me miqtë e pastaj, përhapet në gjithë botën:

“Lufta fillon këtu e mbaron atje. Lajmet, që shohim në gazeta e në televizion… Sot, shumë njerëz vdesin e ajo farë lufte e mbjellur nga zilia, xhelozia, lakmia e zemrës sime, është e njëjtë – tashmë e rritur dhe e bërë pemë – me atë të bombës, që bie mbi një spital, mbi një shkollë e vret fëmijët. Është po ajo. Shpallja e luftës fillon këtu, brenda secilit prej nesh. Prandaj, bëj pyetjen: ‘Si e ruaj paqen në zemrën time, në intimitetin tim, në familjen time?’ Ta mbrojmë paqen, por jo vetëm ta ruajmë: ta krijojmë me duar, në mënyrë artizanale, ditë për ditë. E kështu do ta arrijmë në të gjithë botën”.

Kujtimi i fundit të luftës

Gjaku i Krishtit është ai, që sjell paqen, theksoi më tej Ati i Shenjtë, por jo gjaku i derdhur i vëllait, ose gjaku i derdhur për shkak të trafikantëve të armëve dhe të pushtetshmëve të kësaj bote. Papa Françesku kujtoi një episod nga fëmijëria:

“Kujtoj kur filloi të bjerë alarmi i Zjarrfikësve, pastaj sirena e gazetave dhe e qytetit… Kjo bëhej për të tërhequr vëmendjen për një fakt, një tragjedi apo diçka tjetër. E menjëherë dëgjova fqinjën, që thërriste nënën: ‘Zonja Rexhina, ejani, ejani!’ E nëna doli, pak e frikësuar: ‘Ç’ka bërë vaki?’ E ajo grua, nga ana tjetër e kopshtit, i thoshte: ‘Mbaroi lufta!’ e qante”.

Papa kujtoi përqafimin e dy grave, lotët dhe gëzimin e tyre, sepse lufta kishte mbaruar. “Zoti – përfundoi homelinë – na dhashtë hirin të themi: ‘Lufta mbaroi’ e duke qarë, ‘Mbaroi lufta në zemrën time, mbaroi lufta në familjen time, mbaroi lufta në lagjen time, mbaroi lufta në vendin tim të punës, mbaroi lufta në botë’. Kështu, pëllumbi, ylberi dhe besëlidhja me Zotin do të jenë më të forta”.








All the contents on this site are copyrighted ©.