2017-02-16 14:36:00

Centesimus Annus: 2 gjermanë e një francez fituan çmimin “Ekonomia e Shoqëria” mbi doktrinën shoqërore të Kishës.


U paraqit dje në Sallën e Shtypit të Selisë së Shenjtë, në Vatikan, Çmimi tretë ndërkombëtar “Ekonomia e Shoqëria” e Fondacionit Centesimus Annus Pro Pontefice, themeluar më 1993 nga Shën Gjon Pali II për promovimin dhe njohjen e Doktrinës shoqërore të Kishës.

Fituesit janë: Çmimin Ndërkombëtar e fitoi gjermani Markus Vogt, për veprën “Prinzip Nachhaltigkeit. Ein Entwurf aus theologisch-ethischer Perspektive” (Parimi i qëndrueshmërisë. Propozim nga këndvështrimi teologjiko-etik), Munih, 2013; Çmimin e gazetarisë, themeluar sivjet, e fitoi francezi atë Dominique Greiner, për blog-un e tij “La doctrine sociale sur le fil” (Doktrina shoqërore në teh të briskut), botuar në faqen e së përditshmes “La Croix”, e gjermani Burkhard Schàfers, për transmetimin radiofonik “Oswald von Nell-Breuning:Was von der katholischen Soziallehre geblieben ist” (Oswald von Nell-Breuning: C’ka ka mbetur nga Doktrina Shoqërore e Kishës).

Ceremonia e dhënies së çmimeve do të mbahet më 18 maj 2017, në ora 17.00 në Pallatin e Kancelarisë, në Romë, në kuadrin e simpoziumit ndërkombëtar të përvitshëm të Fondacionit “Centesimus Annus-Pro Pontefice”, me temën “Alternativat pozitive në epokën e paqartësisë globale”. Punësimi e integriteti në epokën digjitale, nxitja për solidaritet dhe virtytet qytetare” që do të zhvillohet në Sallën e Re të Sinodit, në Vatikan, e pranë Pallatit të Kancelarisë, në Romë, nga data 18 deri më 20 maj 2017.

Gjatë paraqitjes, dje në konferencën e shtypit, kardinali Reinhard Marx, kryeipeshkëv i Munih-ut, president i jurisë së Çmimit, shpjegoi se fituesit janë zgjedhur nga mase 57 veprat prej 12 shteteve e pesë kontinentevem që janë paraqitur e kanë konkurruar në gjuhë të ndryshme. Simpoziumi ndërkombëtar mbi “Alternativat pozitive në epokën e paqartësisë globale” u paraqit nga President i Fondacionit “Centesimus Annus-Pro Pontefice”, Domingo Sugranyes Bickel. 








All the contents on this site are copyrighted ©.