2017-02-16 14:26:00

Ati i Shenjtë, atletëve të Special Olympics: jeni pasuri


Çdo njeri është dhuratë e Zotit dhe përfshirja e tij në shoqëri e pasuron atë: kjo është dëshmia, që i japin botës atletët e Special Olympics, shoqatës së përhapur në 170 vende të botës, e cila organizon stërvitje dhe ngjarje sportive për fëmijë e të rritur me probleme mendore. Papa Françesku takoi sot në Vatikan një delegacion nga Special Olympics, që do të marrë pjesë në Lojrat Dimërore në Austri, gjatë muajit mars.

S’ka barriera e pengesa, që nuk mund të kapërcehen në jetë

Nuk është hera e parë, që ata përqafohen nga Ati i Shenjtë, por takimi është gjithnjë i gëzueshëm e rast për të treguar se s’ka barriera e pengesa, që nuk mund të kapërcehen në jetë, siç u tha vetë Papa:

“Jeni shenjë shprese për ata, që impenjohen për një shoqëri gjithëpërfshirëse. Çdo jetë është e çmuar, çdo njeri është dhuratë e përfshirja e tij në bashkësi e në shoqëri i pasuron ato. Ky është mesazhi juaj për botën, për një botë pa kufij e pa përjashtime!”

Të mësojmë prej jush të gëzohemi për gjërat e vogla

Atletët me probleme mendore në gjithë botën arrijnë shifrën 4 milion, ndërsa 1 milion janë vullnetarët, që marrin pjesë në nismat e organizatës së themeluar nga Eunice Mary Kennedy Shriver. Sot, Special Olympics kryesohet nga i biri, Timothy Shriver. Gëzimi i sportit, gëzimi i jetës, gëzimi për dhuratat e Zotit është filli, që përshkoi fjalën e Papës Françesku për atletët e rinj:

“Duke parë buzëqeshjen e bukur në fytyrën tuaj e lumturinë e madhe në sytë tuaj, kur arrini rezultate të mira në gara – e fitorja më e bukur është pikërisht kapërcimi i problemeve – e kuptojmë ç’do të thotë gëzim i sinqertë dhe vërtet i merituar! E mund të mësojmë prej jush të gëzohemi për gjërat e vogla e të thjeshta, të gëzohemi së bashku”.

Papa u ndal në rëndësinë e sportit, në përgatitjen e vazhdueshme, që kërkon sakrifica, por zhvillon aftësi, të cilat, përndryshe, do të mbeteshin në heshtje. Por sidomos, ushtron këmbënguljen për të arritur atë, që nënvizon vetë betimi i Special Olympics: “shpresojmë të fitoj, por, nëse nuk ia arrij, të përpiqem për këtë me të gjitha forcat”. Atletët, që do të marrin pjesë në Lojrat Dimërore në Austri, do të jenë pra “rrahja e zemrës për botën”, siç thotë edhe motoja e këtij edicioni.








All the contents on this site are copyrighted ©.