2017-02-15 16:41:00

Mediat e gjykatat vatikanase, në qendër të takimit të C9


Këshilli i Nëntë Kardinajve përfundoi sot, në Vatikan, takimin e tij të 18-të me Atin e Shenjtë, nisur të hënën e kaluar. Në takim foli zëvendës-drejtorja e Sallës së Shtypit, Paloma Garcia Ovejero. Ishin të pranishëm të gjithë anëtarët e Këshillit. Papa Françesku mungoi gjysmën e dytë të së hënës, për shkak të vizitës “ad Limina Apostolorum” të ipeshkvijve të Costa Rica-s, e edhe sot paradite, për audiencën e përgjithshme. Por ishte i pranishëm në seancën e 105-të, mbajtur sot pasdite. Të hënën e të martën kardinajtë e kremtuan Meshën me Papën.

Sesionet e punës u mbajtën mëngjeseve, nga ora  09.00 deri në orën 12.30; pasditeve, nga 16.30, deri në orën 19.00 dhe iu kushtuan vërejtjeve të reja për disa dikastere të Kuries; posaçërisht u fol për Kongregatën e Ungjillëzimit të Popujve (Propaganda Fide), Kongregatën për Kishat Lindore dhe Këshillin Papnor për Dialogun Ndërfetar.   

Kardinajtë kanë nisur të shqyrtojnë temën “Diakonia e drejtësia” e, prej këndej, i kushtuan shumë kohë edhe Gjykatave: Pendestarisë Apostolike, Gjykatës së Lartë të Senjaturës Apostolike dhe Gjykatës Rota Romana.

Në studim, gjatë punimeve të Këshillit, këto ditë ishte edhe procesi i zgjedhjes së kandidatëve për Episkopate.

Kardinali George Pell referoi për punën e Sekretarisë së Ekonomisë, që i është besuar, kryesisht për vënien e plotë në jetë të reformës ekonomike, kërkuar nga Ati i Shenjtë, duke i kushtuar vëmendje të veçantë  veprimtarisë për formimin e personelit si dhe të burimeve njerëzore.

Prefekti i Sekretarisë për Komunikimin, imzot Dario Edoardo Viganò, foli për gjendjen aktuale të reformës në komunikimet e Selisë së Shenjtë,  domethënë, për bashkimin e Radio Vatikanit me Qendrën Televizive të Vatikanit në Dikasterin, që iu besua atij.

U organizuan takime pune edhe me Sekretarinë e Shtetit, Sekretarinë për Ekonominë, Apsa-n dhe Zyrën e Punës, për ta shoqëruar këtë fazë të reformës. U paraqit edhe plani për ristrukturimin e frekuencave të Radios si dhe për orientimet e reja lidhur me social network.

Së fundi, u kujtua edhe projekti për nisjes së reformës në Shtëpinë Botuese të Vatikanit.

Takimi i ardhshëm i Këshillit të Kardinajve do të mbahet më 24, 25 e 26 prill 2017.  








All the contents on this site are copyrighted ©.