2017-02-15 13:58:00

Kard. Coccopalmerio shpjegon kapitullin VIII të “Amoris Laetitia”


U paraqit në Radio Vatikan vëllimi “Kapitulli i tetë i Nxitjes Apostolike Pas Sinodale ‘Amoris Laetitia’”, shkruar nga kryetari i Këshillit Papnor për Tekstet Legjislative, kard. Francesco Coccopalmerio. Libri është publikuar nga Shtëpia Botuese e Vatikanit LEV.

         Kapitulli i tetë u kushtohet bashkimeve të parregullta ndërmjet çifteve, prandaj zgjoi më shumë interes e shkaktoi edhe polemika kur doli Nxitja Apostolike, pasi flitej për mundësinë që t'u jepej Kungimi të divorcuarve të rimartuar, gjë e papranueshme më parë. Problemi kryesor i paraqitur atëherë kishte të bënte me respektimin e Doktrinës tradicionale të Kishës Katolike, të cilën disa e shihnin si të kapërcyer, ose të kërcënuar nga baritoria e propozuar në “Amoris Laetitia”. Një baritori, që tregon më tepër kujdes për individin, i cili shoqërohet nga Kisha me gjithë brishtësinë e tij e pavarësisht nga mëkatet. Të dëgjojmë vatikanistin Orazio La Rocca, i ftuar në paraqitjen e librit të kardinalit:

         “Nga dyshimet e shprehura më lindën disa pyetje. Ndër to edhe pikëpyetja mbi respektimin e doktrinës. Por kardinali, me këtë tekst, shpjegon në mënyrë mjaft didaktike, se doktrina nuk preket; ajo ruhet e nga ana tjetër, njerëzit me probleme bashkëshortore mbeten gjithnjë bij të Kishës, e cila ua hap krahët e saj si nënë”.

         Gjatë paraqitjes së librit u sqarua se kushtet për marrjen e Sakramenteve nga ana e të divorcuarve të rimartuar janë të përcaktuara qartë e aspak të lehta. Duke komentuar fjalët e kard. Coccopalmerio, ja ç’tha, në mikrofonin tonë, pedagogu i Krisologjisë në Universitetin Papnor Urbanian, mons. Maurizio Gronchi:

         Gjërat më tepër, që thotë kardinali, gjenden në faqen 27 e në faqen 29 të libretit. Saktësisht shkruhet: ‘…Kisha mund t’u japë Sakramentin e Pendesës e të Eukaristisë besimtarëve, që bashkohen në mënyrë të parregullt, duke plotësuar dy kushte themelore: dëshirojnë ta ndryshojnë gjendjen, por është e pamundur ta plotësojnë dëshirën e tyre’ e, në faqen 29, kushti tjetër: ‘…pikërisht kjo dëshirë është elementi teologjik, që lejon zgjidhjen e mëkatit dhe mundësinë për marrjen e Eukaristisë, gjithnjë – e përsërisim – nëse nuk është e mundur të ndryshohet menjëherë gjendja e mëkatit”. Këto janë shprehjet me të cilat kardinali bën një hap interpretues në linjë me Nxitjen Apostolike.

         Ç’do të thotë kjo? Që një çift i martuar rishtas duhet të jetë i vetëdijshëm se jeton në një gjendje të parregullt dhe të ketë dëshirë të ndryshojë?

         Ndryshimi këtu kuptohet si dëshirë për t’u kthyer te Zoti. Nuk specifikohet nëse kjo do të thotë që çifti të kthehet në gjendjen e mëparshme, duke bërë ndoshta një faj të ri, siç thotë kardinali; e nuk specifikohet nëse kjo do të thotë të mos ketë marrëdhënie bashkëshortore, siç kërkon ‘Familiaris consortio’ në n.84. Flitet për kthim te Zoti. Pra, synimi për të qenë më pranë Krishtit e bën të ligjshme pjesëmarrjen në hirin shenjtërues të Sakramenteve. Kjo nuk bie ndesh me doktrinën e pazgjidhshmërisë së martesës, sepse çifti është i vetëdijshëm se nuk jeton sipas Ungjillit, e nuk bie ndesh as me doktrinën e pendesës e atë të hirit shenjtërues. Këto janë shprehjet e kardinalit.

         Nga interpretimi i kardinalit Coccopalmerio del një Kishë “spital fushor”, siç thotë shpesh Papa Françesku, por pa u larguar nga doktrina tradicionale…

         Jo, sepse Kisha ka qenë gjithnjë strehë për mëkatarët. “Nuk kam ardhur për të gjykuar, por për të dhënë jetën”. Duhet kuptuar se Jezusi konsiderohet qendër absolute dhe vdekja e ringjallja e Tij është thelbi i doktrinës, rreth së cilës aspektet doktrinore trajtohen sipas një hierarkie të së vërtetës. Papa vë në dukje gjithnjë rëndësinë e periferive, kur është fjala për gjendje mënjanimi. Na fton për një lloj decentralizimi. Por është interesant fakti se nganjëherë, ndodh e kundërta: ka disa periferi doktrinore, që pretendojnë të vihen në qendër, duke harruar se qendra është Krishti.








All the contents on this site are copyrighted ©.