2017-02-15 14:34:00

Imzot Auza: “jo” trafikut të armëve dhe terrorizmit


Para “luftës botërore pjesë-pjesë” dhe kërcënimit për sulme kundër strukturave të ndjeshme, bashkësia ndërkombëtare të veprojë e bashkuar për të zhdukur trafikun e paligjshëm të armëve dhe mbështetjen financare për terrorizmin. Ky, thelbi i thirrjes së Vëzhguesit të përhershëm të Selisë së Shenjtë në Pallatin e Qelqit në Nju Jork, imzot Bernardito Auza.

Strategjia e terrorit minon jetën e popujve

         Përfaqësuesi i Vatikanit në OKB kërkoi përpjekje të përbashkëta që të ndalet vala e terrorit, e cila përdor “civilë të pafajshëm si mish për top”, u shkatërron infrastrukturat e nevojshme për mbijetesën, si shkollat, spitalet, ujësjellësit e vendet e kultit. Imzot Auza denoncoi edhe një herë konfliktet në zonën e Mesopotamisë së lashtë, ku trashëgimia fetare e kulturore e qytetërimeve, që janë të pranishëm në rajon prej mijëvjeçarësh, është kthyer në objekt sulmesh të vazhdueshme.

Politikat nuk mund të bazohen vetëm në përfitimin

         “Është detyrë e bashkësisë ndërkombëtare, siç parashikon Karta e OKB-së”, nënvizoi imzot Auza, “të mbrohen civilët dhe infrastrukturat e nevojshme për jetën e tyre”. Prandaj, politika nuk mund të bazohet vetëm në kërkimin pa kushte të përfitimit e në interesa gjeopolitike egoiste. Vëzhguesi i Vatikanit bëri thirrje për kufizimin e kontrollin e prodhimit të armëve dhe të shitjes së municioneve e të teknologjive, sidomos në vendet e paqëndrueshme politikisht. Teknologji, theksoi imzot Auza, që duhen përdorur për të zbuluar mënyrën e rekrutimit të terroristëve, të financimit të veprimtarisë dhe të koordinimit të sulmeve të tyre.








All the contents on this site are copyrighted ©.