2017-02-14 15:05:00

Libri i Nello Scavo për të krishterët e persekutuar në kohën tonë


“Kush i vret të krishterët?”, “Pse krishterimi është sot kulti më i sulmuar në planet?”. Janë dy nga pyetjet, që shtron Nello Scavo në librin e tij të ri “Të persekutuarit”, botuar nga Piemme. Vëllimi është një punë kërkimore e gazetarit të së përditshmes katolike italiane “Avvenire” në vendet ku të krishterët janë viktima të persekutimit e të çdo lloj poshtërimi, që nga Lindja e Mesme në Amerikën Latine. Realitet i tmerrshëm, shpesh i anashkaluar nga mediat, pavarësisht se 75% e dhunës kundër fesë në botë ka të bëjë pikërisht me të krishterët. Në intervistën me Radio Vatikanin, autori, Nello Scavo, ndalet në pikat kryesore të librit:

Ideja e librit lindi pas shumë udhëtimesh e reportazhesh, që kam shkruar për gazetën ‘Avvenire’, gjatë të cilave kam hasur shpesh vuajtjen, por edhe heroizmin e shumë të krishterëve të persekutuar. Kështu, vendosa ta vijoj kërkimin, duke shkuar, aty ku ishte e mundur, në vendet e martirizimit të përditshëm të këtyre bashkësive. Po mundohem të jap disa shembuj: ka vende, në të cilat të krishterëve nuk u lejohet të studiojnë, të tjera, ku kushtet e punës së tyre janë jashtëzakonisht të këqija. Pastaj, ka realitete më të afërta: mendoj sidomos për ç’po ndodh në Siri, ku dhjetra mijëra të krishterë janë skllevër të punës në Turqi. Kam takuar edhe fëmijë të vegjël, ndërmjet 8 e 12 vjeç, që punojnë si skllevër në disa rrobaqepësi turke, ku, për ironi të fatit, prodhojnë tutat, që u shiten më pas militantëve të Isisit, përgjegjës për zhdukjen e të krishterëve nga ato toka.

Diçka tjetër, që të bën përshtypje nga libri, është vizioni i tij global. Përfshihet edhe gjendja në Azi, në Afrikë, në Amerikën Latine…

Po, edhe në Evropë! Duhet të themi një gjë: nganjëherë, të krishterët përdoren si trofe në luftën ndërmjet grupeve islamike. Ka realitete në të cilat fraksionet shiite dhe fraksionet sunite ndeshen për pushtetin e kjo garë zgjidhet shpesh duke vrarë të krishterët. Pra, “sa më shumë të krishterë vras, aq më shumë tregoj se jam i fortë”. E kjo, sa për të dhënë një shembull. Kemi edhe rastin e Evropës. Ndoqa me qindra kilometra udhëtimin e disa grupeve të krishterësh sirianë, që përmes Ballkanit, përpiqeshin të hynin në Evropë për një jetë më të mirë, për të mbijetuar, duke lënë pas masakrimin e vazhdueshëm në Siri. Ktheheshin mbrapsht rregullisht; mendoj për vende të krishtera si Hungaria, ku është ngritur një mur. Këta njerëz nuk arrinin ta kuptonin si ishte e mundur që vende të krishtera t’i kthenin mbrapsht të krishterët e tjerë, që iknin nga zona lufte.

Në librin tuaj, lexohet sidomos për persekutimin, dhunën e poshtërimin e grave të krishtera, në shumë anë të botës…

Ajo, që ndodh, sidomos në Lindjen e Mesme, është vërtet rrënqethëse. Dëshmitë ta marrin frymën. Duhet thënë se në një pjesë të kulturës islamike të këtyre zonave të islamizuara ka një përçmim të plotë për figurën e femrës. Prandaj, edhe gratë e krishtera nuk kanë asnjë të drejtë të jetojnë normalisht. Kam gjetur madje edhe dokumente të disa gjykatave islamike, që flasin për skllavërimin e grave të krishtera. Është arritur deri në atë pikë sa një muxhajdin që lëbyret nga një grua e krishterë e martuar, ia vret të shoqin me pretekstin e ndeshjes në zonë lufte e pastaj, e blen gruan si të ishte ndonjë trofe. Natyrisht, pasi e përdor sipas qejfit, e vë në shitje në ‘tregun e skllevërve”, që mbahet çdo javë.

 Cili është mesazhi juaj për Perëndimin, i cili qëndron indiferent para faktit se ka njerëz, që për të shkuar në meshë çdo të dielë, rrezikojnë jetën…

Shpresoj t’i jap histori shprese, sepse në këto tregime e reportazhe ka edhe shumë të krishterë të ndihmuar, madje, nga myslimanët për të ikur. Ata i kanë mbrojtur në zonat e luftës. Ose ka histori të krishterësh, që nuk e kanë pranuar logjikën e luftës, prandaj arrijnë të dëshmojnë një krishterim të rrënjosur në Ungjill. Kudo ku bashkësitë e krishtera përpiqen t’i zhdukin, ato rriten e shumohen më të forta se më parë.








All the contents on this site are copyrighted ©.