2017-02-13 14:53:00

Papa: pedofilia, "flijim djallëzor", që gllabëron fëmijët


“Si mundet një prift, në shërbim të Krishtit e të Kishës së tij, të shkaktojë kaq shumë të këqia? Si mund ta ketë shuguruar jetën e tij për t’i çuar fëmijët te Zoti, e pastaj të përfundojë duke i gllabëruar në atë, që e kam quajtur ‘flijim djallëzor’, i cili shkatërron si viktimën, ashtu edhe jetën e Kishës?” Këto fjalë të ashpra janë të Papës Françesku. Ati i Shenjtë i shkruan në hyrjen e librit “Po të fal, o atë”, të Daniel Pittet, ish-meshtar, viktimë e një prifti pedofil kur ishte i vogël.

Libri është publikuar nga Shtëpia Botuese Italiane Piemme e nënshkruar, edhe me vulë papnore, nga Papa Bergoglio, i cili jep kështu një dëshmi të jashtëzakonshme për luftën e ndërmarrë nga Kisha Katolike kundër fenomenit të pedofilisë. “Nuk duhet të fshehim. Nuk duhet të mohojmë. Muk duhet të zvogëlojmë. Duhet të impenjohemi për t’i shëruar këto plagë”: ky është laitmotivi që përshkon hyrjen.

“Disa viktima – shkruan Ati i Shenjtë – kanë arritur deri në vetëvrasje. Këto vdekje rëndojnë mbi zemrën time, mbi ndërgjegjen time e mbi atë të gjithë Kishës. Familjeve të tyre u shpreh dashuri e dhimbje e, me përvuajtëri, u kërkoj falje. Për atë, që ka qenë viktimë e pedofilisë, është e vështirë të tregojë ç’ka pësuar, të përshkruajë traumat, që mbeten, edhe pas shumë vitesh… Prandaj, dëshmia e Daniel Pittet është e nevojshme, e çmuar dhe e guximshme” shton Papa, që më pas tregon: “E kam njohur Danielin në Vatikan në vitin 2015, me rastin e Vitit të jetës rregulltare. Donte ta shpërndante kudo librin e tij me titull ‘Të duash do të thotë të japësh gjithçka’, i cili përmblidhte dëshmi rregulltarësh e rregulltaresh, meshtarësh e të përkushtuarish. Nuk mund ta imagjinoja se ky njeri entuziast dhe i apasionuar pas Krishtit të kishte qenë viktimë abuzimesh nga ana e një prifti. Por pikërisht këtë më tregoi e vuajtja e tij më preku shumë”.

“Pashë edhe një herë – i drejtohet autorit Papa Françesku – dëmet e frikshme, shkaktuar nga abuzimet seksuale dhe rrugën e gjatë e të dhimbshme, që i pret viktimat. Jam i lumtur që edhe të tjerë mund ta lexojnë sot dëshminë tënde e të zbulojnë deri në ç’pikë e keqja mund të hyjë në zemrën e një shërbëtori të Kishës”.

Ish-meshtari zviceran, që është martuar më pas e ka gjashtë fëmijë, është takuar me Atin e Shenjtë në Vatikan, në vitin 2015, e atëherë ia tregoi krejt historinë e tij. Për Papën, “është fjala për një monstruozitet absolut, për një mëkat të tmerrshëm, rrënjësisht kundër gjithçkaje na mëson Krishti. Kisha jonë – vijon Ati i Shenjtë – siç kam shkruar në Letrën apostolike ‘ Si një nënë e dashur’ të 4 qershorit 2016, duhet të kujdeset e t’i mbrojë me dashuri të veçantë më të brishtët e më të pambrojturit. Kemi deklaruar – shton Papa – se është detyrë e jona të tregohemi tejet të ashpër me meshtarët, që e tradhtojnë misionin e tyre, si edhe me hierarkinë, ipeshkvij a kardinaj, që i mbrojnë, siç ka ndodhur në të kaluarën”.

Për Papën Françesku, dëshmia e ish-meshtarit ka vlerë të jashtëzakonshme: “Në fatkeqësi – shkruan Papa në hyrjen e librit – Daniel Pittet arriti të shohë edhe fytyrën tjetër të Kishës e kjo i dha mundësinë të mos e humbë shpresën në njerëzit e në Zotin. Vendosi të takohet me persekutuesin e vet pas 40 vjetësh, ta shohë në sy njeriun që e plagosi thellë në shpirt. E t’i japë dorën. Fëmija i plagosur është sot burrë, i brishtë, por me kokën lart”.








All the contents on this site are copyrighted ©.